Kompania për menaxhimin e mbeturinave Eko-Llapi ka reaguar ndaj gjendjes së krijuar nga hedhja e mbeturinave në hapësirat përreth Liqenit të Batllavës.
Përmes një postimi në Facebook, kompania ka thënë se ekipet e saj po punojnë në terren edhe në temperatura të larta për ta mbajtur ambientin të pastër, ndërsa ka kritikuar qytetarët që, pas shfrytëzimit të hapësirave rekreative, lënë pas mbeturina. “Në këto temperatura të larta, ekipi ynë punon në terren, i gatshëm të sakrifikojë për ta mbajtur mjedisin tonë të pastër. Por për çfarë?
Që disa, pasi ta kenë shfrytëzuar një nga bukuritë më të çmuara të vendit tonë, të largohen duke lënë pas qese, shishe, pjata dhe grumbuj të tërë mbeturinash buzë Liqenit të Batllavës?”, thuhet në reagimin e Eko-Llapit. Kompania ka theksuar se pastërtia nuk është vetëm përgjegjësi e institucioneve, por edhe e qytetarëve. “Në Evropë pastërtia nuk mbahet vetëm nga institucionet.
Ajo fillon nga qytetari. Shteti nuk qëndron pranë secilit për t’ia pritur mbeturinën në ajër”, thuhet në postim. Eko-Llapi ka thënë se ekipi i saj ka mbledhur mbeturinat e lëna në hapësirat përreth liqenit, por ka paralajmëruar se puna e kompanive të pastrimit nuk mund ta zëvendësojë përgjegjësinë individuale të qytetarëve.
“Batllava është pasuri e përbashkët, jo deponi”, ka theksuar kompania. Në fund, Eko-Llapi ka shprehur mirënjohje për punëtorët që, pavarësisht temperaturave të larta, po vazhdojnë punën në terren. “Do të vazhdojmë të punojmë me përkushtim, sepse ky vend meriton më mirë.
Por asnjë ekip, sado i angazhuar, nuk mund ta mbajë të pastër një ambient që ndotet përsëri sapo ai të largohet”, thuhet në reagim. / Telegrafi
