Dy persona janë arrestuar në flagrancë në Dhërmi, pasi dyshohet se u kapën duke poseduar me qëllim shitjen doza të lëndëve narkotike, kokainë dhe kanabis. Operacioni, i koduar “Ruloti”, u finalizua nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve i DVP Vlorë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë. Në pranga kanë përfunduar F.
B., 31 vjeç, banues në Fier, dhe E. K., 27 vjeç, banues në Vlorë. Sipas Policisë, dy të dyshuarit u kapën në flagrancë në afërsi të një “beach bar-i” në fshatin Dhërmi, ku posedonin doza të dyshuara kokainë dhe Cannabis Sativa, të cilat dyshohet se i kishin me qëllim shitjen. Gjatë kontrollit të automjetit të 31-vjeçarit F.
B., si dhe të rulotit ku ai qëndronte, Policia gjeti doza të tjera të lëndëve të dyshuara narkotike. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar rreth 150 doza kokaine dhe kanabisi, si dhe automjeti i 31-vjeçarit. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
