Aktakuza ndaj Fatmir Shehollit: Prokuroria pretendon ndërhyrje në

0%

Prokuroria Speciale e Kosovës pretendon se Fatmir Sheholli, në koordinim me zyrtarin e lartë të BIA-s serbe, Bojan Dimiç, ka zbatuar një plan operativ që synonte ndikimin në zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025.

Në aktakuzën e siguruar nga Telegrafi, përfshihet edhe një dokument i emërtuar “Top Secret 2”, i cili, sipas interpretimit të Prokurorisë, përshkruan një plan për radikalizimin e Kosovës dhe dëmtimin e pozitës së saj ndërkombëtare.

Sipas aktakuzës, një nga aktivitetet për të cilat Sheholli akuzohet për spiunazh lidhej drejtpërdrejt me zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025 dhe me publikimin e materialeve komprometuese kundër zyrtarëve të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Prokuroria pretendon se Sheholli kishte vepruar në koordinim me Bojan Dimiçin, të cilin e identifikon si zyrtar të lartë të BIA-s serbe dhe drejtor të Drejtorisë Kundër Terrorizmit dhe Krimit të Organizuar Ndërkombëtar.

Në dispozitivin e aktakuzës thuhet se Sheholli kishte zbatuar “një plan operativ konkret” të përgatitur nga Dimiçi, i cili, sipas Prokurorisë, synonte dëmtimin e interesave të Kosovës dhe ndërhyrjen direkte në procesin zgjedhor.

Pjesë e këtij plani, sipas aktakuzës, ishte sigurimi dhe publikimi i audio-incizimeve dhe transkripteve të bisedave të disa zyrtarëve të lartë të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, me qëllim komprometimin e tyre.

Më , sipas Prokurorisë, Sheholli kishte udhëtuar në Mitrovicën e Veriut dhe, në parkingun e Shkollës Teknike, afër kafiterisë “Sindikata”, nga një person i paidentifikuar kishte pranuar materialet dhe shumën prej 5 mijë eurosh.

Pas kësaj, sipas aktakuzës, Sheholli ia kishte dorëzuar materialet gazetarit Milaim Zeka, së bashku me 1 mijë euro, duke e udhëzuar lidhur me mënyrën dhe kohën e publikimit të tyre në emisionin “Pa Rrotlla”. Prokuroria pretendon se koha e publikimit ishte e rëndësishme pikërisht për shkak të zgjedhjeve.

Sipas saj, materialet duhej të publikoheshin vetëm disa ditë para votimit, në mënyrë që të kishin ndikim maksimal në opinionin publik dhe në procesin zgjedhor.

Në aktakuzë thuhet se përmes këtyre veprimeve synohej diskreditimi i institucioneve dhe zyrtarëve të tyre dhe se ishte mundësuar “ndërhyrja e drejtpërdrejtë e një shërbimi të huaj informativ në një proces zgjedhor në Republikën e Kosovës”. Përgjimet para zgjedhjeve Prokuroria ka përfshirë në aktakuzë edhe komunikime të përgjuara ndërmjet Shehollit dhe Dimiçit.

Në një bisedë të 23 shtatorit 2025, vetëm disa javë para zgjedhjeve, Sheholli kërkonte që materialet të mbërrinin para 27 shtatorit. Sipas transkriptit të përfshirë në aktakuzë, ai shprehte shqetësimin se mund të ishin nën përgjim dhe kërkonte kujdes gjatë dorëzimit. Në të njëjtën bisedë përmendet edhe data 12, të cilën Prokuroria e lidh me ditën e zgjedhjeve lokale.

Sheholli citohet të ketë kërkuar që materialet të arrinin “më së voni deri më 27-tin”, ndërsa Dimiçi e paralajmëronte për kujdes nga përgjimet. Më 24 shtator, sipas aktakuzës, Sheholli kishte kontaktuar Milaim Zekën dhe e kishte njoftuar se materialet do të arrinin më 27 ose 28 shtator.

Në komunikimet e përfshira në aktakuzë, Sheholli i thotë Zekës se, pasi t’i merrte materialet, do t’i shikonin së bashku dhe do të diskutonin për publikimin. Prokuroria pretendon se, për të fshehur origjinën e materialeve, Sheholli i kishte paraqitur ato sikur vinin nga një person i lidhur me “GIZ-in gjerman”.

Po sipas aktakuzës, ishte paraparë një pagesë prej 2 mijë eurosh për publikim, 1 mijë euro në fillim dhe 1 mijë të tjera pas publikimit. Pas marrjes së materialeve, sipas aktakuzës, Dimiçi vazhdonte të interesohej për kohën e publikimit. Në një bisedë të 30 shtatorit, Dimiçi citohet duke pyetur: “A e qiti Milaimi?”.

Sheholli përgjigjet se materiali kërkonte punë dhe përkthim, ndërsa Dimiçi pyet nëse do të publikohej atë natë. Më 1 tetor, sipas Prokurorisë, Sheholli i kishte përcjellë Zekës kërkesën që materialet të publikoheshin më herët gjatë ditës. Prokuroria e konsideron këtë si dëshmi se Sheholli vepronte sipas udhëzimeve të Dimiçit edhe lidhur me kohën dhe mënyrën e publikimit.

Sipas aktakuzës, qëllimi i materialeve ishte diskreditimi i zyrtarëve dhe oponentëve politikë të Listës Serbe dhe ndikimi në rezultatin e zgjedhjeve të 12 tetorit.

“Top Secret 2” – dokumenti për radikalizimin e Kosovës Përveç pretendimeve për ndërhyrje në procesin zgjedhor, Prokuroria i referohet edhe një dokumenti të emërtuar “Top Secret 2”, i cili është gjetur gjatë ekzaminimit të telefonit të Fatmir Shehollit. Sipas aktakuzës, gjatë analizimit të iPhone-it të sekuestruar nga Sheholli janë kontrolluar gjithsej 20,914 fotografi dhe imazhe.

Një prej tyre kishte mbishkrimin “Top Secret 2” dhe përmbante tekst në gjuhën serbe. Prokuroria e cilëson dokumentin si material konfidencial dhe e përdor atë, së bashku me prova të tjera, për të mbështetur pretendimin për kontaktet e Shehollit me struktura të shërbimit informativ serb. Në aktakuzë përfshihet edhe përkthimi në shqip i pjesëve të dokumentit.

Sipas këtij përkthimi, dokumenti flet për përdorimin e operativëve në Kosovë dhe për grumbullimin e fondeve nga ambasada të vendeve islamike në Beograd, të cilat më pas do të investoheshin në ndërtimin e xhamive.

Në dokument përshkruhet se xhamitë duhej të ndërtoheshin në vende të dukshme, pranë autostradave, shkollave dhe qendrave tregtare, ndërsa në fshatra të mëdha numri i tyre duhej të shtohej. Po ashtu, parashihet shtrirja e shkollave islame dhe medreseve në të gjithë Kosovën. Sipas dokumentit, për këtë qëllim do të përfshiheshin persona nga Kosova, Maqedonia, Bosnja dhe Sanxhaku.

Një pjesë tjetër e dokumentit flet për ndikimin te persona me ndikim publik. Sipas tekstit të përfshirë në aktakuzë, synohej përfshirja e shqiptarëve me ndikim në sport, media, muzikë dhe politikë. Dokumenti përmend gjithashtu njerëz brenda partive politike dhe figura fetare.

Sipas interpretimit të Prokurorisë, qëllimi do të ishte forcimi i identitetit fetar në raport me identitetin kombëtar dhe krijimi i një ndikimi të gjerë shoqëror. Dokumenti përfshin edhe diasporën shqiptare, duke përmendur angazhimin e personave nga bashkësitë fetare të Kosovës dhe Sanxhakut në vende si Zvicra, Gjermania dhe Belgjika.

Sipas dokumentit, qëllimi ishte ndikimi te shqiptarët që jetonin jashtë Kosovës, veçanërisht te komunitetet me fuqi më të madhe ekonomike. “Pas 20 viteve Kosova do të duket si Kandahar” Një nga pjesët më të forta të dokumentit është formulimi: “Pas 20 viteve Kosova do të duket si Kandahar”.

Sipas dokumentit, në Kosovë duhej të krijohej një atmosferë që do t’i shtynte të rinjtë të largoheshin jashtë vendit, ndërsa të tjerët të orientoheshin më shumë nga feja. Në tekst pretendohet se një imazh i tillë do të ndikonte që fuqitë perëndimore të ndryshonin qëndrimin ndaj Kosovës.

Më tej, sipas dokumentit, një ndryshim i tillë i perceptimit ndërkombëtar do të krijonte kushte që Kosova të kthehej nën juridiksionin e Serbisë. Prokuroria e interpreton këtë dokument si një plan veprimi që synonte destabilizimin e Kosovës, krijimin e perceptimit se ajo është një shtet i radikalizuar dhe ekstremist dhe dëmtimin e pozitës së saj ndërkombëtare.

Sipas saj, plani parashihte përdorimin e rrjeteve të personave të angazhuar në Kosovë dhe rajon, financimin e aktiviteteve fetare dhe ndikimin te figura publike dhe prijës fetarë. Sipas aktakuzës, më , Sheholli ia kishte dërguar dokumentin “Top Secret 2” një personi të identifikuar si “Viktor Makedonija”. Prokuroria thotë se dokumenti kishte edhe shenjimin “CONFIDENTIAL”.

Fakti që dokumenti ishte ruajtur dhe shpërndarë nga Sheholli përdoret nga Prokuroria si një prej elementeve për të mbështetur pretendimin se veprimet e tij ishin në funksion të synimeve të BIA-s serbe.

Në tërësi, sipas aktakuzës, Prokuroria Speciale pretendon se aktivitetet e Shehollit përfshinin dy drejtime kryesore: ndërhyrjen e pretenduar në procesin zgjedhor përmes publikimit të materialeve komprometuese dhe shpërndarjen e materialeve që, sipas interpretimit të Prokurorisë, synonin dëmtimin e imazhit dhe pozitës ndërkombëtare të Kosovës.

Burimi: Telegrafi