Nasim Haradinaj ishte një luftëtar i njohur i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Një nga komandantët e luftës së lavdishme të Koshares. Për shkak të kontributeve të tij ai udhëheq edhe Organizatën e Veteranëve të Luftës. E kam ndjek vazhdimisht diskursin e tij, sidomos lidhur me katër ish- komandantët e luftës që sot gjenden e gjykohen në Hagë.
Shpesh herë racional dhe i ekuilibruar, por në raste të caktuara radikal dhe i paarsyeshëm. Kohët e fundit ka kërcënuar me “djegjen në flakë të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut”, nëse Hashim Thaçi dënohet nga Gjykata Speciale e Hagës më 16 shtator, dmth pas tri javësh.
Më , pas plot 6 vitesh në hetim e gjykim, në Hagë do të shpallet vendimi i Gjykatës Speciale të Kosovës për fajësinë ose pafajësinë e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Thaçi, krahas procesit kryesor me akuzën për krime lufte, do të presë edhe vendimin për një proces tjetër, atë të presionit mbi dëshmitarët, me qëllim deformimin e dëshmive të tyre në favor të tij. Do të dënohen ose jo këta ish-komandantë të luftës së UÇK-së, kjo do të mësohet ditën e shpalljes së vendimit nga ana e trupit gjykues. Megjithatë në Kosovë po artikulohet diçka e pazakontë.
Përkrahësit e Hashim Thaçit kërcënojnë me luftë, me konflikt të armatosur, me djegjen flakë jo vetëm të Kosovës, por edhe të Maqedonisë Veriore. Në këto kërcënime bie në sy diçka krejt e pamendueshme. Për momentin po besojmë se ia vlen që të kallet Kosova e Maqedonia, nëse dënohet Hashim Thaçi. Por çfarë fiton Kosova përveçse bëhet shkrumb e hi?!
Dhe çfarë do të fitonte Hashim Thaçi, nëse do të digjej Kosova?! Të dy palët do të ishin shumfish të dëmtuara. Kosova dhe qytetarët e saj do të humbisnin pronën, jetën, tokat, të tashmen dhe të ardhmen e bashkë me to edhe shtetin, lirinë, pavarësinë dhe drejtësinë. Pra nuk do të kishte më Kosovë.
Nuk e di nëse ata që e konsiderojnë patriotike deklaratën e Nasim Haradinajt e mendojnë kësisoj “djegjen në flakë të Kosovës”! Por asgjë e mirë, përveçse të këqijave nuk do t’i ndodhnin Kosovës, nëse ajo digjet nga Haradinaj dhe përkrahësit e tjerë të Hashim Thaçit.
Në këtë rast do të realizohej plotësisht projekti i asgjësimit të shqiptarëve dhe të vetë Kosovës hartuar prej më shumë se një shekull në Beograd. E nëse “djegja e Kosovës” është akt patriotik, siç po shkruhet e thuhet nga disa analistë në Kosovë, atëherë po, kjo do të ishte një aventurë serbe e patriotizmit. Por nëse ndodh “djegja e Kosovës” çfarë fiton Hashim Thaçi?!
Do anulohet vendimi për dënimin e tij?! Absolutisht jo! Edhe nëse në Gjykatën e Apelit do të kishte ndonjë ulje dënimi, në rastin e skenarit të proklamuar nga Nasim Haradinaj, Hashim Thaçit do t’i shqiptohej i njëjti dënim si në gjykatën e shkallës së parë.
Madje akuza kundër Thaçit për intimidim të dëshmitarëve do të thellohej me një hetim shtesë për rolin e ish-presidentit në destabilizimin e vendit. Kjo do të thotë se Nasimi nuk ka llogarit fundin e asaj që ndodh me deklaratën e lëshuar, më duket ngutshëm. Ngutja në këto raste vetëm se e thellon dhe ndërlikon situatën.
Unë nuk besoj se Haradinaj dëshiron ta zhbëjë Kosovën për një vendim gjykate në adresë të Hashim Thaçit. Madje dua të besoj se ai është i gatshëm ta sakrifikojë jetën e vet me qëllim që Kosova të rrojë e të forcohet gjithnjë e më shumë.
Nëse besoj këtë, atëherë më duhet të them se Nasip Haradinaj ka dashur të bëjë presion mbi Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë dhe t’i trembë europianët dhe gjyqtarët e kësaj gjykate me kërcënimin e destabilizimit të Kosovës dhe rajonit. Edhe në këtë rast deklarata është vetëvrasëse.
Sepse, nëse ajo lexohet si presion kundër trupit gjykues, atëherë kjo trupë gjykuese do të duhet ta dëshmohet dinjitoze dhe me integritet për t’i thënë publikut se vepron në mënyrë të pavarur dhe nuk intimidohet nga presionet dhe kërcënimet politike të një shoqate jo politike.
Ështe krejt e natyrshme që në këtë rast gjykatësit nëse janë në dilemën e vendimmarrjes, të anojnë nga masa e dënimit. Edhe në këtë rast me deklaratën e tij destabilizuese Haradinaj e ka rënduar pozitën e katër ish-komandantëve e sidomos të Hashim Thaçit. Se kjo deklaratë është kërcënuese e dëshmon fakti se në listën e zjarrvënies nuk është vetëm Kosova, por edhe Maqedonia e Veriut.
Përmendja e Maqedonisë e ka zbuluar plotësisht qëllimin e deklaratës së zotit Nasim Haradinaj. Prandaj i drejtohem atij me shumë sinqeritet dhe dashamirësi që të tërhiqet nga deklarata e mëparshme dhe të kërkojë drejtësi, duke kërkuar ndjesë për metodat kërcënuese që i përdori më parë. Besoj se kjo e ngre lart edhe dinjitetin dhe integritetin e Nasim Haradinajt.
Gjithkush mund të përfshihet nga emocionet, por këmbngulja në gabim të bën me faj!
