Ka nisur intervenimi në rrugën “Stokholmi” në Prishtinë. Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, përmes një postimi në Facebook, pa dhënë detaje të tjera lidhur me vëllimin apo afatin e punimeve. Ndërkohë, banorët e lagjes kanë mirëpritur nisjen e punimeve, duke thënë se ato vijnë pas kërkesave të vazhdueshme për rregullimin e rrugës, raporton Telegrafi.
Pas raportimit të Telegrafit, Komuna e Prishtinës paralajmëron ndërhyrje të përkohshme në rrugën “Stokholmi” “Më në fund, filluan punimet për rregullimin e rrugës në lagjen tonë! Pas shumë kërkesave dhe angazhimit të përbashkët, një premtim po bëhet realitet”, thuhet në reagimin e banorëve.
Ata e kanë cilësuar nisjen e punimeve si një hap drejt përmirësimit të infrastrukturës dhe sigurisë në lagje. “Kur bashkohemi dhe angazhohemi, ndryshimi bëhet realitet”, kanë deklaruar ata.
Nisja e punimeve në rrugën “Stokholmi” shënon fillimin e ndërhyrjes, ndërsa nga njoftimi i kryetarit Rama nuk janë bërë të ditura detaje për koston, kontraktorin apo afatin e përfundimit të projektit. / Telegrafi
