Në Zubin Potok u gjetën mbetje mortore të 23 personave, Kurti: Numri

0%

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka prezantuar raportin për gërmimet e zhvilluara në tri lokacione në komunën e Zubin Potokut, ku janë gjetur mbetje mortore që dyshohet se u përkasin së paku 23 personave. Sipas kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, në lokacionin e parë në Kalludër janë gjetur dhe zhvarrosur mbetjet mortore të 13 personave.

Në lokacionin e dytë, në Jabukë, janë gjetur mbetje mortore që dyshohet se u përkasin së paku katër personave, ndërsa në lokacionin e tretë në Kalludër janë gjetur mbetjet mortore të së paku gjashtë personave. Kurti ka bërë të ditur se tashmë ka nisur procesi i identifikimit.

Mostrat e mbetjeve të gjetura në Jabukë janë dërguar për analizë të ADN-së, ndërsa për pjesën tjetër po vazhdojnë ekzaminimet në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Sipas Kurtit, numri 23 përkon me atë që njihet si “grupi i intelektualëve”, për të cilët ai tha se më ishin ndaluar, rrëmbyer dhe vrarë nga forcat serbe.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Megjithatë, ai theksoi se procesi i identifikimit mund të zgjasë edhe disa muaj dhe se vetëm pas përfundimit të tij mund të përcaktohet me saktësi se kujt u përkasin mbetjet mortore.

Kurti ka deklaruar se qindra familje vazhdojnë të presin për zbardhjen e fatit të familjarëve të tyre të zhdukur dhe ka kërkuar nga faktori ndërkombëtar që të shtojë trysninë ndaj Serbisë për hapjen e arkivave që mund të ndihmojnë në zbardhjen e fatit të personave të pagjetur.

Në këtë proces janë përfshirë Policia e Kosovës, Instituti i Mjekësisë Ligjore, Agjencia e Kosovës për Inteligjencë dhe ekipet mjekoligjore të EULEX-it. Në afërsi të lokacioneve ku janë zhvilluar gërmimet është gjetur edhe një sasi e madhe armatimi, e cila është dërguar për ekzaminim dhe analizë për të përcaktuar nëse mund të ketë lidhje me krimet e kryera në këto zona.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

Burimi: sinjali.com