Dekreti i shtetësisë së Kosovës për Joe DioGuardit dhe Shirley Cloyes

0%

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, në një ceremoni të veçantë ua ka dorëzuar dekretin e shtetësisë së Kosovës, Joe DioGuardit dhe Shirley Cloyes DioGuardit.

Sipas një njoftimi për media thuhet se në fjalën e saj, Haxhiu tha se Kosova është shtet i ri, por para se të ishte shtet dhe para se ta fitonte lirinë kishte njerëz që i dolën zot, ndaj ne e kemi për detyrë të mos harrojmë kush janë ata njerëz.

Dekreti i shtetësisë së Kosovës për Joe DioGuardit dhe Shirley Cloyes DioGuardit, Haxhiu: Ishit miq të Kosovës përpara se ajo të bëhej shtet, prej sot jeni edhe qytetarë të saj telegrafi.com “Joseph dhe Shirley DioGuardi janë ndër ata miq që Kosova i pati pranë para se emri i saj të zinte vend në agjendën e politikës amerikane.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Përkushtimi juaj ndaj çështjes shqiptare kishte pas vetes një trashëgimi shumë më të vjetër se jeta juaj politike. Ajo vinte nga familja juaj arbëreshe, nga Greci i Italisë, prej një bashkësie që, shekuj pasi ishte shkëputur nga trojet e të parëve, vazhdonte ta ruante shqipen, kujtesën e prejardhjes dhe lidhjen me botën shqiptare.

Babai juaj ishte pesëmbëdhjetë vjeç kur u nis nga Greci për në Amerikë. Kur e kthyet në vendlindje në vitin 1974, pas dyzet e pesë vjetësh larg, ai u foli përsëri shqip njerëzve me të cilët kishte kaluar fëmijërinë. Gjuha kishte mbijetuar largësinë, kohën dhe një jetë të tërë në një kontinent tjetër”, u shpreh Haxhiu.

Sipas saj, kjo trashëgimi, që për shumë breza kishte jetuar si kujtesë familjare, te ju mori edhe trajtën e angazhimit politik. “Kur shqiptarët e Amerikës ju folën për Kosovën në mesin e viteve tetëdhjetë, ju ishit një kongresmen i ri, teksa për Kosovën në Washington dihej fare pak.

Në vitin 1986 e ngritët në Kongresin e Shteteve të Bashkuara çështjen e shkeljes së të drejtave të shqiptarëve në Jugosllavi”, theksoi Haxhiu. Ajo më tej tha se afirmimi i çështjes së Kosovës në Kongresin amerikan në ato vite ishte më tepër se një qëndrim politik.

“Duhej të dëshmohej një padrejtësi që pak njerëz e njihnin, të përballohej kundërshtimi i një diplomacie shtetërore që kishte rrënjë e miq të vjetër në Washington dhe t’u shpjegohej ligjvënësve amerikanë se pas fjalorit zyrtar të Jugosllavisë së asaj kohe qëndronte një popull, të cilit po i cenoheshin vazhdimisht dhe në mënyrën më brutale të drejtat themelore.

Ju e nisët këtë punë shumë vjet përpara se represioni sistematik, vrasjet, masakrat dhe dëbimi masiv nga ana e politikës kriminale të Serbisë e shndërruan Kosovën çështje të politikës botërore”, ka pohuar Haxhiu. Haxhiu, më tej tha se Joe DioGuardi edhe pasi përfundoi mandatin e tij në Kongres, e vazhdoi angazhimin.

“Me themelimin e Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane, në vitin 1989, ajo punë mori një shtrirje tjetër. Ju u kthyet në Kosovë, patë nga afër çfarë po ndodhte, takuat njerëzit që po artikulonin rezistencën politike e intelektuale të shqiptarëve dhe, bashkë me Tom Lantosin, e sfiduat haptas politikën e Sllobodan Millosheviqit në një kohë kur kjo kërkonte edhe guxim personal”, tha ajo.

Më tej, Haxhiu theksoi se në Washington, ndërkohë, u krijua një rreth gjithnjë e më i gjerë njerëzish që u njohën me Kosovën dhe ishin të gatshëm të merreshin me të. “Tom Lantos, Bob Dole, Ben Gilman, Claiborne Pell dhe shumë të tjerë u bënë emra që shqiptarët do t’i mësonin e do t’i mbanin përherë në mendje.

Në krijimin dhe ushqimin e atyre lidhjeve, Lidhja Shqiptaro-Amerikane dhe ju vetë patët një rol që la gjurmë në historinë së marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, theksoi Haxhiu.

Ajo theksoi se në ato vite, Kosova nuk kishte ambasadë në Washington, as diplomaci shtetërore që ta përfaqësonte, duke shtuar më tej se atë zbrazëti e mbushën, sa mundën, mërgata jonë dhe miq si ju, duke ndërtuar lidhje me politikën amerikane, duke sjellë dëshmi nga Kosova dhe duke i hapur çështjes sonë dyer që deri atëherë kishin qenë të mbyllura Haxhiu tha se Shirley Cloyes DioGuardi iu bashkua kësaj pune nga një rrugë tjetër dhe shumë shpejt u bë një prej zërave më të shquar e më këmbëngulës.

“Me përvojën tuaj në botim, shkrim dhe analizë të politikës së jashtme, ju u shndërruat në një kroniste duke dëshmuar, dokumentuar dhe argumentuar për Kosovën, ngase nuk mjaftonte vetëm të kërkohej mbështetje.

Duhej të njihej historia e saj, të kuptoheshin mekanizmat e represionit, të ndiqej ajo që po ndodhte në terren dhe t’u përgjigjej, me fakte, paraqitjeve që për vite me radhë kishin shtrembëruar, gënjyer e falsifikuar për pozitën e shqiptarëve në ish-Jugosllavi.

Këtë punë e bëtë në shkrime, raporte, dëshmi para Kongresit, takime me politikëbërës e diplomatë dhe në paraqitje të shumta publike”, u shpreh Haxhiu. Haxhiu më tej tha se në vitin 2002, të dy shkuan në Hagë për të dëshmuar në procesin kundër Sllobodan Millosheviqit i akuzuar i Tribunalit Penal Ndërkombëtar për krime kundër njerëzimit në Kosovë.

“Edhe atëherë, si shumë herë më parë, puna juaj ishte dëshmi, pra ju e dëshmoni me fakte atë që Serbia e kishte bërë me vite kundër shqiptarëve të Kosovës. Pas qershorit të vitit 1999, Kosova kishte një betejë tjetër përpara, betejën për ta kthyer lirinë e fituar në një status të qëndrueshëm politik dhe, më pas, në shtetësi.

Faleminderit për mbështetjen e madhe që i keni dhënë Kosovës në periudha shumë të vështira!”, theksoi ajo. Në fund, Haxhiu tha se për të është nder i veçantë që para pak minutash si Ushtruese e Detyrës së Presidentes pati nderin që t’ua jap DioGuardi dhe DioGuardi shtetësinë e Republikës së Kosovës. “Ju keni qenë miq të Kosovës shumë përpara se ajo të bëhej shtet.

Prej sot, jeni edhe qytetarë të saj! Për mua është nder i veçantë t’jua uroj shtetësinë e Republikës së Kosovës dhe t’ju them: mirë se vini në mesin e qytetarëve të saj. Mirë se vini në shtetin tuaj të dytë, në Republikën e Kosovës!”, tha në fund të fjalës së saj Haxhiu.

Burimi: Telegrafi