Tashmë është zyrtare, Janik Siner nuk do të marrë pjesë në “US Open”, turneu i fundit Grand Slam i sezonit, i cili nis të dielën, më 30 gusht. Vendimi erdhi vetëm pak ditë pasi tenisti italian festoi 25-vjetorin e lindjes.
Siner ka preferuar të heqë dorë nga turneu në Nju Jork, pasi problemet me gjurin e djathtë vazhdojnë të jenë shqetësuese, pavarësisht trajtimeve të vazhdueshme që stafi i tij mjekësor, përfshirë edhe specialistët e “J Medical”, i ka ofruar që pas triumfit në Uimbëlldon.
Në këto kushte, Siner ka zgjedhur të mos marrë rreziqe të panevojshme dhe të përqendrohet te pjesa e fundit e sezonit, ku kulmi do të jetë “ATP Finals” në Torino. Kështu, nuk do të ketë mundësinë për të kërkuar revansh ndaj finales së vitit të kaluar, kur triumfoi Karlos Alcaraz, i cili ka njoftuar rikthimin pikërisht në turneun e Nju Jorkut.
“Edhe pse kam punuar shumë së bashku me ekipin tim dhe mjekun tim personal, na u desh të merrnim vendimin e vështirë që të mos mund të garojmë në ‘US Open’ këtë vit. Ditët e fundit u rikthyem në fushë në Monte Karlo dhe kuptuam se kam ende nevojë për më shumë kohë për t’u rikuperuar nga problemi në gjurin e djathtë.
Sigurisht që jam shumë i trishtuar dhe i zhgënjyer, sepse Nju Jorku ka një vend të veçantë në zemrën time. Mezi prisja të kthehesha dhe të luaja në atë atmosferë elektrizuese, përpara tifozëve të mrekullueshëm”, u shpreh Siner.
Plani i tenistit italian tani është të qëndrojë në Europë dhe të vazhdojë rikuperimin, me objektivin që të jetë gati për turneun aziatik dhe për turnetë e Pekinit dhe Shangait.
