Problemet me dëmtimet nuk po ndalen për trajnerin e Shkëndijës nga Tteova, Artim Pollozhani. Dihej se për derbin e nesërm me Strugën TL. ai nuk do të mund të llogariste në portierin Babukar Gaye dhe sulmuesin Marko Gjorgjievski, ndërsa tashmë është zyrtare se edhe Rafael Freitas, një nga lojtarët kryesorë të Shkëndijës, do të mungojë.
Ky është njoftimi i Shkëndijës për gjendjen e tre futbollistëve: “Babukar Gaye ka nisur fazën e rikthimit në stërvitje, ndërsa Rafael Freitas dhe Marko Gjorgjievski vazhdojnë procesin e rikuperimit pas dëmtimeve të fundit”. Ndërsa skuadra përgatitet për sfidat e radhës në kampionat, stafi mjekësor po punon intensivisht për rikthimin sa më të shpejtë të futbollistëve të dëmtuar.
Aktualisht, portieri Babukar Gaye, mesfushori Rafael Freitas dhe sulmuesi Marko Gjorgjievski janë jashtë ekipit. Babukar Gaye, pasi përfundoi të gjitha fazat e programit të rehabilitimit në Gjermani dhe iu nënshtrua edhe disa testeve shtesë, është vlerësuar pozitivisht për përparimin e rikuperimit të tij.
Megjithatë, rikuperimi i plotë kërkon pak më shumë kohë sesa ishte parashikuar fillimisht. Gaye është kthyer në Tetovë prej disa ditësh dhe ka nisur stërvitjet individuale me trajnerin e portierëve. Pritet që javën e ardhshme të rikthehet në stërvitje të plota me grupin, ndërsa përgatitësi fizik do të japë vlerësimin përfundimtar se kur ai do të jetë gati për t’u rikthyer në fushë.
Rafael Freitas, mesfushori brazilian, pësoi një tërheqje të muskulit rektus abdominal në ndeshjen e fundit kundër Bregallnicës. Ai vazhdon trajtimin dhe javën e ardhshme gjendja e tij do të rivlerësohet, përpara se të merret vendimi për rikthimin e tij të plotë në stërvitje.
Marko Gjorgjievski u dëmtua në stërvitjen e fundit para ndeshjes së dytë kundër Hibernianit, në kuadër të kualifikimeve për Ligën e Konferencës së UEFA-s. Ekzaminimet konfirmuan një çarje të pjesshme të muskulit aduktor të gjatë. Gjorgjievski vazhdon terapinë, ndërsa gjatë javës së ardhshme gjendja e tij do të rivlerësohet për të përcaktuar hapat e mëtejshëm të rikuperimit.
Pra, Shkëndija do të jetë pa Gaye, Freitas dhe Gjorgjievski në derbin e nesërm ndaj Strugës TL.
