​Protesta kundër kishës në Vushtrri, Sinani: Jemi kundër këtyre

0%

Dhjetëra qytetarë sot protestuan në fshatin Zogaj të Vushtrrisë kundër “Lëvizjes për Rikthim” dhe ndërtimit të një kishe në këtë fshat. Gurëthemeli i kishës që u vu disa ditë më parë, siç merr vesh KosovaPress, tashmë është larguar e që ende nuk dihet se nga kush, por kjo nuk i ndali qytetarët që të mblidhen për një protestë paqësore.

Para protestuesve foli Hakif Sinani, një i moshuar nga Vushtrria, i cili tha se janë mbledhur për të shprehur pakënaqësinë e tyre, pasi tha se janë kundër bandave, që sipas tij, po mundohen t’i përçajnë shqiptarët mes vete.

Protesta kundër ndërtimit të kishës e “Lëvizjes për Rikthim”, Sinani: Jemi kundër këtyre bandave “Ne këtu sot jemi mbledhur për ta shprehur pakënaqësinë tonë, po na bëhet e padrejtë, nuk kemi ardhur ta kërcënojmë askënd. S’jemi kundër as fesë katolike e as myslimane, vëllezër jemi, bashkë kemi luftuar.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Por, kemi ardhur kundër këtyre bandave që po mundohen të na përçajnë mes vet, që po financohen okupatori serbo-rus.. Ne nuk jemi kundër katolikëve, sepse s’mund të jemi pasi jemi vëllezër, por jemi kundër këtyre që po mundohen të na përçajnë. Këto vetëm përçarje po bëjnë me mësimin e Vuçiqit e dreqit e të birit.

Mos e lejoni, ju bëjë thirrje edhe katolikëve që të mos i lejojnë të hyjnë në mesin e tyre dhe mesin tonë. As nuk bën që ne t’i lejojmë derisa ata kanë kohë të ngrenë gurë nëpër fusha pasi është e padrejtë dhe e panevojshme. Të na përçajnë në liri tonë, po më doket diçka shumë rëndë”, tha ai, raporton KosovaPress.

Ndërsa, një nga organizatorët e protestës tha se janë të papranueshme përpjekjet për ta përdorur fenë si instrument politik përmes projekteve, që sipas tij, perceptohen si kisha katolike.

Protesta në Vushtrri, organizatori i protestës: Të papranueshme përpjekjet për tensione që perceptohen si kisha katolike “Shqiptarët me shekuj e kanë dëshmuar se mund të jenë shembull i tolerancës dhe bashkëjetesës ndër-fetare. Myslimanë, katolikë e ortodoksë kanë jetuar krah për krah, kanë sakrifikuar së bashku dhe e kanë ruajtur identitetin kombëtar përtej dallimeve fetare.

Pra, kjo është pasuri e jonë dhe ajo që ne duhet ta mbrojmë. Prandaj, çdo thirrje për vëllavrasje, çdo gjuhë urrejtje, çdo përpjekje për ta kthyer shqiptarin kundër shqiptarit dhe çdo etiketim i tjetrit për shkak të besimit të tij duhet të dënohet. Ajo që e nxit vëllain të ngrihet kundër vëllait, nuk e mbron fenë por po e shkatërron atë.

Ai që mbjell urrejtje në mes shqiptarëve, nuk po i shërben kombit por po i shërben përçarjes. Të papranueshme janë përpjekjet për ta përdorur fenë si instrument politik përmes projekteve që krijojnë tensione të panevojshme ose perceptohen si kisha katolike”, tha ai, raporton KosovaPress.

Pas fjalimeve, protesta është përmbyllur e qetë, teksa në vendin e ngjarjes janë parë forca të shtuara të Policisë së Kosovës bashkë me KFOR-in. Ditë parë, shumë qytetarë kanë marrë pjesë në vënien e gurthemelit të Kishës Katolike “Shën Flori dhe Lauri”, në fshatin Zogaj të Vushtrrisë.

Ceremonia e organizuar nën kujdesin e Ipeshkvisë së Kosovës, siç mësoi KosovaPress, aty u tha se vënia e këtij gurthemeli shënon një moment të rëndësishëm për komunitetin katolik të kësaj zone.

Pak më vonë Dioqeza Prizren–Prishtinë ka reaguar duke e cilësuar si jokushtetues, joligjor dhe të pajustifikuar vendimin e Policisë së Kosovës për të mos lejuar ceremoninë e paraparë të martën, më 18 gusht, për bekimin e gurthemelit të kishës së re në Zogaj të Vushtrrisë.

Për të shmangur tensionet, ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji, i shoqëruar nga disa meshtarë dhe besimtarë, e ka bërë bekimin e gurthemelit të hënën, në vigjilje të festës së Shën Florit dhe Laurit.

Sipas atij reagimi të datës 17 gusht, vikari ipeshkvor Don Fran Kola i kishte informuar autoritetet e sigurisë, në përputhje me ligjet në fuqi, për zhvillimin e ceremonisë në tokën e dhuruar nga besimtarët për ndërtimin e objektit fetar. “Policia e Kosovës ka marr një vendim që nuk do të lejohet të zhvillohet ceremonia e paraparë për nesër, më .

Edhe pas ankesës zyrtare të Don Fran Kolës, Policia nuk e ka anulua vendimin. Ne e konsiderojmë këtë vendim jo kushtetues, jo ligjor, të padrejtë dhe të pajustifikuar, sepse bëhet fjalë për një ngjarje kishtare, fetare dhe paqësore, në pronën e Kishës, për të cilën institucionet ishin njoftuar me kohë”, thuhet në reagim.

Ndërkohë, ceremonia e pagëzimeve ishte mbajtur më 18 gusht në Katedralen “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë.

Burimi: Bota Sot