Përplasja për financimin e komunave, AKK i reagon Krasniqit: Ku

0%

Asociacioni i Komunave të Kosovës i është kundërpërgjigjur ministrit në detyrë të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, pas deklaratave të tij për financimin e komunave dhe rolin e Asociacionit. Krasniqi kishte thënë se buxheti për komunat është rritur me 66 për qind dhe se Asociacioni duhet të jetë “zë i 38 komunave”, duke kundërshtuar kritikat për financat e pushtetit lokal.

Sipas tij, mjetet e ridestinuara nuk janë zhdukur, por janë kthyer sërish në komuna përmes projekteve investuese. Krasniqi: Buxheti për komunat është rritur 66%, Asociacioni të jetë zë i 38 komunave Në reagimin e tij dërguar mediave, drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka thënë se nuk ka ndërmend të merret me sulme personale, por është detyruar të përgjigjet pasi ministri e ka përmendur sërish.

“Unë nuk jam kryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës. Jam drejtor ekzekutiv”, ka thënë Ibrahimi, duke e kritikuar Krasniqin për këtë, siç e ka quajtur ai, “dallim elementar”. Ibrahimi ka pretenduar se edhe më herët ishte përballur me sulme personale nga ministria, pasi Asociacioni kishte kërkuar sqarime për fondet e Bashkimit Evropian. “Kërkesa ishte e Bordit të Asociacionit.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Sulmi ishte kundër meje. Përgjigje për fondet nuk pati”, ka deklaruar ai. Pjesa kryesore e reagimit të Asociacionit lidhet me Grantin e Performancës. Ibrahimi ka ngritur pyetjen se pse pesë komunave fituese të këtij granti u janë ndarë vetëm 2 milionë euro nga 4 milionë eurot që, sipas tij, ishin paraparë në buxhet. “Pse u ridestinuan mjetet e komunave fituese? Sipas cilave kritere?

Dhe si mbrohet skema e performancës kur fituesve u zvogëlohet financimi?”, ka pyetur Ibrahimi. Krasniqi kishte arsyetuar se 25 për qind e mjeteve ishin orientuar në një program tjetër investimesh, duke thënë se disa komuna kishin kapacitete të kufizuara administrative dhe njerëzore dhe mund të mos arrinin t’i shpenzonin fondet brenda afateve.

Ibrahimi ka kërkuar që ministria të publikojë të dhënat dhe kriteret mbi të cilat është vlerësuar kapaciteti i këtyre komunave. “Nëse ministria i vonoi fondet, nuk mund t’ua faturoni komunave pasojat e vonesës”, ka thënë ai.

AKK paralajmëron për shkurtim të Grantit për Arsim për vitin 2027, Ibrahimi: 8.8 milionë euro më i ulët se në vitin 2026 Një tjetër çështje që Asociacioni kërkon të sqarohet janë 10 deri në 14 milionë euro të Bashkimit Evropian, të cilat, sipas Ibrahimit, ishin të dedikuara për Grantin e Performancës. “Cili ishte rezultati? Ku janë mjetet? Cilat komuna përfituan?

Nëse nuk kanë humbur, publikoni dokumentet. Nëse kanë humbur, tregoni pse dhe kush mban përgjegjësi”, ka kërkuar drejtori ekzekutiv i AKK-së. Ibrahimi ka kundërshtuar gjithashtu mënyrën se si ministri ka paraqitur rritjen e buxhetit të komunave, duke thënë se duhet të merret parasysh edhe inflacioni dhe fuqia reale blerëse e buxheteve, e jo vetëm rritja nominale.

Në fund, ai ka theksuar se kërkesat e Asociacionit lidhen me interesat e të gjitha komunave dhe jo me interesa personale. “Kërkesat për transparencë nuk janë panik. Kërkesat për llogaridhënie nuk janë dezinformim. Dhe mbrojtja e interesave të komunave nuk është interes personal. Më pak etiketime. Më shumë përgjigje”, ka përfunduar Ibrahimi.

Burimi: Telegrafi