Një drejtues autobusi është ndëshkuar me 50 mijë lekë gjobë dhe i është tërhequr leja e qarkullimit, pasi u filmua duke përdorur celularin gjatë drejtimit të mjetit. Rasti u regjistrua në aksin rrugor Divjakë-Lushnjë dhe u publikua në median sociale “Piranjat”.
Pas publikimit të videos, Policia Rrugore e Fierit identifikoi drejtuesin e autobusit dhe e shoqëroi në Komisariatin e Policisë Divjakë. Sipas njoftimit të policisë, për shkeljet e konstatuara drejtuesi u ndëshkua me masë administrative prej 50 mijë lekësh dhe me tërheqjen e lejes së qarkullimit. Kontrolli i dokumentacionit zbuloi edhe një tjetër shkelje.
Certifikata e kontrollit teknik të autobusit kishte kaluar afatin e vlefshmërisë. Policia bëri të ditur se masat janë marrë në bazë të dispozitave përkatëse të Kodit Rrugor. Drejtoria Vendore e Policisë Fier u ka bërë thirrje qytetarëve të raportojnë në numrin 112 rastet e shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor.
