Aleanca ka zhvilluar të dielën një aksion simbolik para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, duke vendosur dhe hedhur qymyr si pjesë të mesazhit të saj politik kundër Qeverisë dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti. Në aksion është shpalosur një pankartë me mbishkrimin “Kurti dhe Vetëvendosje – nga terri energjetik në terr politik”.
Në një postim deputeti Burim Ramadani ka theksuar se Kosova ka blerë rreth një miliard euro rrymë gjatë qeverisjes së Vetëvendosjes. “Nga terri energjetik në terr politik! Me Vetëvendosjen nga terri energjetik, Kosova ka blerë rreth 1 miliard euro rrymë. Fort ka përfitu dikush, pra mafia energjetike”, thuhet në postimin e Ramadanit.
Sipas tij, qytetarët po përballen me probleme, ndërsa institucionet janë të bllokuara. “Sot, Kosova po paguan edhe një çmim tjetër. Institucionet janë bllokuar. Kosova po mbahet peng. Ndërsa qytetarët vuajnë, Vetëvendosje po kalkulon veç për pushtet”, thuhet më tej në postim. Në fund të aksionit, Ramadani ka ngritur pyetjen se kush përfiton nga, siç pretendon ai, “terr i energjetik”.
“Kosova nuk është pronë e pushtetit uzurpues. Kosova është e qytetarëve. Mjaft me terr. Mjaft me bllokadë”, ka shkruar ai.
