Pavarësisht toneve optimiste dhe deklaratës së Donald Trump se SHBA-ja “duhet të jetë në gjendje të arrijë një marrëveshje me Kanadanë”, Uashingtoni dhe Otava mbeten në prag të një përplasjeje të re tregtare. Tarifat e reja amerikane, të cilat pritej të hynin në fuqi të mërkurën, janë shtyrë pasi negociatat mes dy vendeve duket se kanë shënuar përparim.
Trump kishte theksuar gjithashtu marrëdhënien e tij të mirë me kryeministrin kanadez Mark Carney. Megjithatë, tensionet janë larg përfundimit. Uashingtoni akuzon Kanadanë për “trajtim diskriminues” ndaj produkteve amerikane, përfshirë alkoolin, automjetet dhe produktet e qumështit, duke i përdorur këto pretendime si arsyetim për vendosjen e tarifave.
Nga ana tjetër, Otava po kërkon lehtësim nga tarifat amerikane ndaj çelikut, aluminit dhe automjeteve – masa që kanë goditur rëndë ekonominë kanadeze, kanë sjellë humbje të vendeve të punës dhe kanë tendosur marrëdhëniet tregtare mes dy fqinjëve. Ish-zyrtari amerikan i tregtisë, Ryan Majerus, ka paralajmëruar se situata mund të bëhet edhe më e vështirë nëse Kanadaja kundërpërgjigjet.
“Nëse Kanadaja ka rënë dakord të vendosë gjithashtu tarifa hakmarrëse, kjo do ta bëjë shumë më të vështirë uljen e tensioneve”, tha ai për AFP. Kështu, edhe pse tarifat janë shtyrë për momentin, një marrëveshje mes dy ekonomive të mëdha të Amerikës së Veriut duket ende larg – dhe lufta tregtare mund të rikthehet me një goditje të re. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
