Skaj një mali, varre burrash, grash, vashash e fëmijësh. Portrete burrash seriozë, të gdhendura në mermer të bardhë, me shikim të mprehtë, sikur kur ishin gjallë. Disa me plisa e marama, disa me kapela franceze, disa me frizura e të buzëqeshur. Skaj këtij mali ka varre pa gurë e pa emër, si pasojë e çmendurisë sonë.
Fytyra grash të stampuara në gurë, me flokë të shprishura nga erërat dhe stuhitë e kohërave të pamëshirshme. Varre vashash, me fytyra të ndritura si hëna, që s’arritën të bëhen nuse. Varre djemsh të rinj, që pabesisht u vranë në ushtri të huaja, në ushtri të dreqit.
Varre fëmijësh, me shikimin kah nënat, sikur atyre u thonë: “Na merrni në gji!” Në varrezat pranë malit, edhe një varr i njomë i një djali të ri, mërgimtar, që vdiq aksidentalisht në një mision humanitar. Djali shpirtmirë e solidar, rritur e burrëruar në Zvicër, edhe gjumin e bënte me Llapin dhe Herticën.
Me këmishën e bardhë dhe qëndrimin gatitu, porsi ushtar, i bën roje Atdheut, të cilin e deshi me shpirt e zemër. Zogj e njerëz kalimtarë luten për shpirtin e djalit mërgimtar, i cili prehet pranë gjyshit dhe gjyshes, në varrezat e Herticës, skaj një mali.
