Portieri i Partizanit, Pano Qirko zhvilloi ndeshje perfekte kundër Teutës, java e parë në Abissnet Superiore, e mbyllur 0 – 0. “Gardiani” i ekipit të kuq, ia doli të ndal bregdetarët në 9 tentativa në portë, protagonist në marrjen e 1 pike nga Partizani në këtë takim tepër të vështirë, aty ku ndikoi ndjeshëm kartoni i kuq nga Human.
Pas sfidës, Qirko u vlerësua me çmimin “Lojtari i Ndeshjes”, ndërsa foli për mediat: “Teorikisht nuk është asgjë, por mendoj se është instikti dhe refleksi që ta jep në atë moment. Besoj se është puna që kemi bërë gjithë këtë kohë. Stërvitjet që bëjmë me Albanin, mendoj se çdo gjë, çdo lëvizje, çdo stërvitje që bëj me Albanin është fat për mua.
Të them të drejtën, lojtari i ndeshjes sot ishte sakrifica e grupit. Të gjithë çunat që vrapuan, luftuan, fituan dyluftimet, edhe me një lojtar më pak. Kjo ishte pjesa më e rëndësishme e ekipit tonë, që është sakrifica. Po vazhduam kështu, mendoj se po të sakrifikojmë, mbështesim dhe dalim pozitivë me njëri-tjetrin, besoj se do ia arrijmë shumë.
Ishte ndeshje e vështirë edhe për faktin se doli një lojtar që është ndër më të rëndësishmit, çelësi i daljes në sulm. Shpresojmë që të mos kemi gjëra të tilla dhe dëmtime dhe vazhdojmë përpara. Të them të drejtën, ndryshime ka. Është pjesa e intensitetit në stërvitje, pjesa e grupit që është më e rëndësishmja. Janë çuna të thjeshtë, vrapojnë, sakrifikojnë, që japin e marrin mendime.
Mendoj se ky është çelësi i suksesit dhe komunikimi që ka me lojtarët. Ndoshta është gjëja pozitive që ka sjellë, ndoshta edhe rezultatet vijnë nga kjo gjë, se e ka treguar që nga miqësoret”..
