Shtetet e Bashkuara kanë vendosur tarifa prej 50 për qind ndaj mallrave kanadeze me vlerë rreth 20 miliardë dollarë, duke përshkallëzuar më tej tensionet tregtare mes dy vendeve. Sipas Sky News, tarifat e vendosura nga presidenti Donald Trump do të prekin rreth 5 për qind të eksporteve vjetore të Kanadasë drejt SHBA-së.
Kryeministri kanadez, Mark Carney, ka paralajmëruar se Ottawa do të kundërpërgjigjet me masa të njëjta, të cilat pritet të hyjnë në fuqi më 8 shtator. “Kanadaja do t’i përputhë tarifat e reja të Uashingtonit dollar për dollar, për të mbrojtur punëtorët, fermerët, familjet dhe bizneset kanadeze”, deklaroi Carney.
Masat hakmarrëse pritet të prekin sektorë si çeliku, produktet e qumështit, pajisjet elektroshtëpiake, makineritë bujqësore, industria e letrës dhe elektronika. Vendimi erdhi pasi negociatat tregtare mes dy vendeve dështuan në minutat e fundit. Carney tha se kërkesat përfundimtare të Uashingtonit ishin “të papranueshme”, duke pretenduar se SHBA-ja “kërkoi shumë dhe ofroi shumë pak”.
Nga ana tjetër, përfaqësuesi tregtar amerikan Jamieson Greer fajësoi Kanadanë për dështimin e marrëveshjes, duke thënë se Ottawa ishte tërhequr nga disa angazhime të arritura më herët. Carney ka pezulluar negociatat dhe ka urdhëruar ekipin kanadez të kthehet në Ottawa, ndërsa aktualisht nuk janë planifikuar bisedime të tjera.
Përshkallëzimi i tensioneve mes SHBA-së dhe Kanadasë ngre pikëpyetje edhe për të ardhmen e marrëveshjes tregtare mes SHBA-së, Kanadasë dhe Meksikës. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
