Rritet numri i vizitorëve në trashëgiminë kulturore/ Kalaja e

0%

Destinacionet e trashëgimisë kulturore në Shqipëri kanë shënuar një rritje të ndjeshme të numrit të vizitorëve gjatë periudhës janar-korrik 2026. Sipas të dhënave të publikuara nga ministri i Turizmit, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, gjatë shtatë muajve të parë të vitit institucionet dhe qendrat e trashëgimisë kulturore janë vizituar nga 824,340 persona, vendas dhe të huaj.

Kjo shifër përfaqëson një rritje prej 80 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023, prej 26.4 për qind kundrejt vitit 2024 dhe 6.3 për qind më shumë se në vitin 2025. Në krye të listës së destinacioneve më të vizituara renditet Kalaja e Gjirokastrës, e cila gjatë kësaj periudhe ka tërhequr 161,274 vizitorë.

Pas saj renditen Parku Kombëtar i Butrintit me 158,612 vizitorë, Parku Arkeologjik i Shkodrës me 108,150, Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë me 84,177, Parku Arkeologjik i Apolonisë me 77,402 dhe Muzeu Kombëtar Ikonografik “Onufri” me 57,372 vizitorë. Kalaja e Gjirokastrës vijon të mbetet një prej pikave më të rëndësishme turistike dhe historike të jugut të vendit.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Përveç vlerave arkitekturore, ajo ruan dëshmi të rëndësishme për historinë e qytetit dhe zhvillimin e tij ndër shekuj. Në korrik 2025, pas rreth 30 vitesh ndërprerje, arkeologët rikthyen gërmimet në kalanë e Gjirokastrës, me synimin për të zbuluar dhe dokumentuar dëshmi të periudhave të hershme të ndërtimit të saj.

Kalaja përmendet për herë të parë në vitin 1336, kur Gjirokastra përmendet si qytet dhe kështjellë. Megjithatë, studiues të ndryshëm vlerësojnë se origjina e kalasë së gurtë mund të jetë edhe më e hershme.

Një periudhë e rëndësishme në historinë e saj lidhet me Pashallëkun e Janinës, kur Ali Pashë Tepelena ndërmori ndërtime dhe ndërhyrje të ndryshme, duke ndikuar në formën arkitekturore që kalaja ruan edhe sot.

Rritja e numrit të vizitorëve në këto destinacione tregon interesin në rritje për trashëgiminë historike dhe kulturore të Shqipërisë, si nga turistët e huaj, ashtu edhe nga vizitorët vendas.

Burimi: Bota Sot