Prokuroria Themelore në Pejë ka njoftuar për ndalimin e 5 personave për organizim të lojërave të fatit. Sipas njoftimit, aksioni ka ndodhur mbrëmë, më , në koordinim me forcat e rendit në Stacionin Policor në Deçan.
“Gjatë këtij aksioni, me urdhër të prokurorit të shtetit, janë arrestuar dhe ndaluar pesë (5) persona, nën dyshimin e bazuar se kanë kryer veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”” – thuhet në njoftim.
“Gjatë kontrollit të lokalit ku dyshohet se zhvillohej kjo veprimtari, janë gjetur dhe sekuestruar përkohësisht prova materiale që dyshohet se kanë shërbyer për zhvillimin e kësaj veprimtarie, përfshirë letra/karta të lojës, pesë (5) telefona mobilë, si dhe para të gatshme në shumën prej 1,615 (një mijë e gjashtëqind e pesëmbëdhjetë) euro” – thuhet tutje në njoftim.
Me urdhër të prokurorit të shtetit, pesë personat e dyshuar janë ndaluar për 48 orë, ndërsa brenda afatit ligjor, prokurori i rastit do të ndërmarrë veprimet e nevojshme procedurale, përfshirë parashtrimin e kërkesës për caktimin e masës së sigurimit ndaj të dyshuarve, sipas dispozitave ligjore në fuqi.
