773 familje në 21 komuna të Kosovës pritet të përfitojnë nga Projekti i Banimit Social Adekuat, i cili parasheh ndërtimin, rindërtimin dhe renovimin e shtëpive për familjet në nevojë. Lajmin e ka bërë të ditur ministrja në detyrë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli, e cila njoftoi se projekti kap vlerën e 37 milionë eurove.
Sipas saj, bëhet fjalë për investimin më të madh publik në fushën e banimit social në Kosovë. “Me një vlerë prej 37 milionë euro, projekti do të zbatohet në 21 komuna dhe pritet të përfitojnë 773 familje” , ka shkruar Pacolli. Postim i plotë: 773 familje në 21 komuna do të përfitojnë nga projekti i ndërtimit, rindërtimit dhe rinovimit të shtëpive!
Sot, bashkë me Kryeministrin Albin Kurti dhe Ministrin Andin Hoti, prezantuam Projektin e Banimit Social Adekuat, investimin më të madh publik në fushën e banimit social në Kosovë. Me një vlerë prej 37 milionë euro, projekti do të zbatohet në 21 komuna dhe pritet të përfitojnë 773 familje.
Nga e hëna do të nisim të nënshkruajmë memorandumet e bashkëpunimit me komunat përfituese dhe menjëherë do të filloi së zbatuari projekti. Dora e shtetit do të ndjehet tek ata që kanë më së shumti nevojë dhe para së gjithash ky projekt është investim në dinjitet, siguri dhe mirëqenie të qytetarëve tanë.
Ne po ndërtojmë politika sociale që vendosin qytetarin në qendër dhe sigurojnë që askush të mos mbetet pas.
