“Mos ta kallim Kosovën e Shqipërinë”, Mekuli: A ka ende “Neronë” që

0%

Publicisti Gëzim Mekuli ka publikuar një shkrim me një reflektim mbi historinë e zjarrit të madh të Romës dhe figurën e perandorit Neron, duke e lidhur këtë histori me mënyrën se si krizat politike dhe shoqërore mund të shfrytëzohen për interesa të ndryshme në Kosovë dhe Shqipëri.

Në shkrimin e tij, Mekuli thekson se historia e Neronit ka mbetur si një simbol i marrëdhënies mes pushtetit, arrogancës, frikës, luksit dhe katastrofës. Megjithatë, sipas tij, mësimi kryesor nuk lidhet vetëm me pyetjen nëse Neroni e shkaktoi zjarrin, por me atë se çfarë ndodh kur një pushtet përballet me krizën dhe, në vend të kërkimit të së vërtetës, kërkon një fajtor.

Mekuli rikujton se, sipas historianit Tacit, Neroni nuk ndodhej në Romë kur shpërtheu zjarri, ndërsa më vonë u kthye dhe organizoi ndihmë për njerëzit që kishin mbetur pa strehë. Ai thekson se legjenda për Neronin që luante muzikë ndërsa Roma digjej nuk është e vërtetuar.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Sipas publicistit, dyshimet ndaj Neronit u shtuan pas zjarrit, veçanërisht për shkak të rindërtimit të madh të qytetit dhe projekteve luksoze që pasuan. “Nuk është e domosdoshme që dikush ta ketë shkaktuar një katastrofë për të përfituar prej saj. Por kur një pushtet përfiton nga një fatkeqësi, dyshimi lind vetvetiu”, shkruan Mekuli.

Ai e sheh edhe mënyrën se si u drejtuan akuzat ndaj të krishterëve si një mësim për shoqëritë moderne. Sipas tij, në momente krize njerëzit kërkojnë një emër, një fytyrë, një grup apo një armik, ndërsa frika krijon terren për propagandë dhe manipulim. Mekuli e lidh këtë me realitetin shqiptar, duke ngritur pyetjen nëse “ka Neronë në Prishtinë e Tiranë”.

“Unë mendoj se, jo domosdoshmërisht; nuk kemi njerëz që ndezin zjarrin me duart e tyre. Por kemi politikë, analistë, profesorë dhe gazetarë partiakë që, kur punët nuk u shkojnë mirë, mendojnë se si ta krijojnë dhe përdorin zjarrin për interesin e tyre”, shprehet ai.

Publicisti thekson se kjo nuk do të thotë se çdo katastrofë është e qëllimshme apo se pas çdo zjarri fshihet një dorë e “neronistëve”. Përkundrazi, sipas tij, akuzat pa prova janë pikërisht ajo që historia e Neronit duhet t’i mësojë shoqërisë që të shmangë. Në fund të shkrimit, Mekuli apelon që krizat të mos shndërrohen në mjete për manipulimin e qytetarëve.

“Zjarret shuhen me ujë, ndërsa zjarret politike mes nesh shuhen vetëm me të vërtetën dhe drejtësinë, jo me propagandë e manipulime”, shkruan ai. Duke e mbyllur me një apel drejtuar shqiptarëve, Mekuli shkruan: “Mos ta kallim Kosovën, pra! Mos ta kallim Shqipërinë! Mos ta kallim shqiptarinë!” Reagimi i plotë: Kur Roma kallej: A ka ende “Neronë” në mesin tonë që përfitojnë nga zjarri?

Historia e Neronit dhe zjarrit shkatërrues të Romës ka mbetur për shekuj si një nga tregimet më të fuqishme për marrëdhënien mes pushtetit, arrogancës, frikës, salltanetit dhe katastrofës. Por ajo që e bën këtë histori ende të rëndësishme nuk është sall zjarri i vitit 64 pas Krishtit.

Është pyetja që ajo na lë pas; çfarë ndodh kur një pushtet, një parti, një organizim, një klan apo një person (dikur i pushtetshëm) përballet me një krizë dhe, në vend që të kërkojë të vërtetën, kërkon një fajtor? Roma e Neronit ishte një qytet i madh, me shtëpi nga druri, i dendur dhe i pambrojtur ndaj zjarreve.

Në korrikun e vitit 64, flakët u përhapën me shpejtësi dhe dogjën e shkatërruan pjesë të mëdha të Romës. Neroni, sipas historianit Tacit, nuk ishte në Romë kur zjarri filloi, por në Antium. Më vonë ai vetë u kthye dhe organizoi ndihmë për njerëzit që kishin mbetur pa strehë. Kjo pjesë e historisë shpesh harrohet, sepse figura e Neronit është mbuluar edhe nga legjenda.

Legjenda e paraqet Neronin duke luajtur muzikë ndërsa Roma digjej, por historia nuk e vërteton këtë. Megjithatë, dyshimet ndaj perandorit u shtuan, sidomos kur pas zjarrit filloi një rindërtim i madh i Romës dhe u ngritën projekte dhe pallate luksoze, ndër të cilat edhe Domus Aurea, Shtëpia e Artë. Dhe këtu fillon problemi i vërtetë i historisë së Neronit që e kalli Romën.

Nuk është e domosdoshme që dikush ta ketë shkaktuar një katastrofë për të përfituar prej saj. Por kur një pushtet përfiton nga një fatkeqësi, dyshimi lind vetvetiu. Neroni kishte nevojë edhe për një shpjegim tjetër; Romakët kërkonin të dinin se kush e kishte shkaktuar zjarrin që shkatërroj qytetin.

Në vend të një përgjigjeje të sigurt, gishtat u drejtuan nga të krishterët; Ata ishin një komunitet i vogël, pa pushtet dhe pa mundësi reale për t’u mbrojtur. Akuzat u shndërruan në persekutim dhe shumë prej tyre u vranë në mënyrë mizore.

Kjo është pjesa e historisë që duhet të na shqetësojë më shumë neve shqiptarëve Sepse edhe sot, kur një komb përballet me një fatkeqësi, njerëzit kërkojnë një emër, një fytyrë, një grup apo një armik. Në momentet e frikës, njerëzit nuk duan gjithmonë të presin për hetimin, provat dhe të vërtetën. Duan përgjigje të menjëhershme. Dhe pikërisht aty propaganda gjen terrenin më të mirë.

Një zjarr mund të jetë aksident. Mund të jetë pasojë e kushteve klimatike, neglizhencës, problemeve teknike apo një krimi. Por para se të shpallim fajtorin, duhet të dimë faktet. Ndryshe, zjarri nuk përfundon kur shuhen flakët. Ai vazhdon të digjet në mendjet e njerëzve përmes thashethemeve, manipulimit dhe urrejtjes.

Ndoshta kjo është arsyeja pse Neroni vazhdon të jetojë në kujtesën e njerëzimit. Jo sepse kemi prova se ai qëndroi duke parë Romën të digjej duke luajtur muzikë me violinë, por sepse ai është shndërruar në simbol të një pushteti që mund të humbasë lidhjen me përgjegjësinë dhe njerëzillëkun. Edhe sot shqiptarët mund të pyesin: a kemi Neronë në Prishtinë e Tiranë?

Unë mendoj se, jo domosdoshmërisht; nuk kemi njerëz që ndezin zjarrin me duart e tyre. Por kemi politikë, analistë, profesorë dhe gazetarë partiak që, kur punët nuk ju shkojnë mirë, mendojnë se si ta krijojnë dhe përdorin zjarrin për interesin e tyre; Njerëz që shfrytëzojnë frikën për të fituar pushtet, që kërkojnë fajtorë para se të kërkojnë prova dhe që e përdorin dhimbjen e njerëzve për të forcuar pozitën e tyre.

Të nderuar lexues, Kjo nuk do të thotë se çdo zjarr i sotëm është i qëllimshëm dhe as se pas çdo katastrofe fshihet një dorë e neronistëve. Sepse të bësh një akuzë të tillë pa fakte do të ishte pikërisht ajo që historia e Neronit na mëson të mos bëjmë. Por historia e Neronit na mëson edhe diçka tjetër; mos e gjykoni një pushtet vetëm nga fjalët që thotë në momentin e krizës.

Shikoni çfarë bën pas krizës. Pra, kush kërkon të vërtetën? Kush kërkon fajtorë? Kush përfiton? Dhe kush e përdor frikën për të kontrolluar të tjerët? Roma u kall shumë kohë më parë. Ndoshta nuk do ta dimë kurrë me siguri të plotë se si nisi zjarri dhe nëse Neroni kishte ndonjë rol në të.

Por një gjë mbetet e qartë: zjarret shuhen me ujë, ndërsa zjarret politike mes nesh shuhen vetëm me të vërtetën dhe drejtësinë, jo me propagandë e manipulime.

Dhe ndoshta ky është mësimi më i madh që neve shqiptarëve na vjen nga Roma e shkrumbuar e Neronit; një qytet mund të rindërtohet pas një zjarri, por një popull që humb aftësinë për të dalluar faktin nga propaganda mund të digjet e të përvëlohet shumë më keq. Mos t’a kallim Kosovën, pra! Mos t’a kallim Shqipërinë! Mos t’a kallim shqiptarinë!

Burimi: Bota Sot