Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka paralajmëruar se ekranet me numërimin mbrapsht deri më 16 shtator, të vendosura në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë, do të vendosen edhe në qytete të tjera të vendit.
Hamza e bëri këtë të ditur gjatë aktivitetit “Ora e Pritjes”, të organizuar nga platforma “Liria ka Emër” në sheshin “Nëna Tereza” në Prishtinë. Ai tha se ekrani i vendosur në kryeqytet simbolizon pritjen deri më 16 shtator, ndërsa paralajmëroi se të tillë do të vendosen në gjithë Kosovën. “Koha po ecën, pritja tash është shkurtuar, por kujtesa jonë nuk shkurtohet.
Sa më afër të jetë dita, aq më fuqishëm duhet ta themi atë që duhet ta themi”, deklaroi Hamza. Sipas tij, vendosja e ekraneve synon të përcjellë mesazhin se Kosova nuk i harron ata që luftuan dhe sakrifikuan për lirinë e vendit.
“Këto ekrane janë një mesazh se Kosova nuk harron, nuk harron kush luftoi, nuk harron kush sakrifikoi, nuk harron kush negocioi në Rambuje, nuk harron kush e siguroi ndërhyrjen e NATO-s”, tha ai. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
