Lamborghini ka ndryshuar planet për modelin e ardhshëm Lanzador, i cili fillimisht ishte paraparë të ishte tërësisht elektrik. Sipas drejtuesve të kompanisë, versioni që do të hyjë në prodhim do të përdorë teknologji hibride plug-in (PHEV), duke kombinuar motorin me djegie të brendshme me sistemin elektrik.
Drejtori ekzekutiv i Lamborghini-t, Stephan Winkelmann, ka deklaruar se ky vendim është pritur mirë nga klientët, të cilët vazhdojnë të preferojnë praninë e motorëve tradicionalë. Prodhuesi italian ka shprehur edhe më herët rezerva ndaj kalimit të plotë në vetura elektrike.
Kompania ka konfirmuar gjithashtu se gjenerata e ardhshme e modelit Urus nuk do të jetë 100 për qind elektrike, por do të vazhdojë me teknologji hibride plug-in. Detajet teknike të Lanzadorit ende nuk janë bërë publike, por pritet që modeli të përdorë një version të sistemit hibrid që Lamborghini tashmë e aplikon në modele të tjera.
Me këtë ndryshim, Lanzador pritet të bëhet modeli i katërt i markës me teknologji PHEV, pas Urus, Temerario dhe Revuelto. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
