Një valë e re tarifash amerikane ndaj një game të gjerë mallrash kanadeze ka hyrë në fuqi mesnatën e së shtunës, pasi negociatat tregtare mes SHBA-së dhe Kanadasë dështuan në momentet e fundit. Kryeministri kanadez Mark Carney njoftoi të premten pezullimin e negociatave, duke deklaruar se ndryshimet e fundit në kushtet e propozuara nga SHBA-ja ishin “të padrejta” dhe “joekonomike”.
Ai paralajmëroi gjithashtu vendosjen e tarifave reciproke ndaj produkteve amerikane. Negociatorët e të dyja vendeve kishin zhvilluar bisedime intensive që nga korriku, pas kërcënimit të presidentit amerikan Donald Trump për vendosjen e një tarife prej 50% ndaj rreth 20 miliardë dollarëve mallra kanadeze.
Bisedimet kishin avancuar ditët e fundit dhe palët po diskutonin uljen e tarifave amerikane për çelikun dhe aluminin kanadez nga 50% në 25%, ndërsa për automjetet nga 25% në 15%. Megjithatë, marrëveshja nuk u arrit.
Pas ndërprerjes së negociatave, për mallrat kanadeze do të aplikohen tarifa të reja prej 50%, përfshirë verën, produktet e qumështit, çimenton, veshmbathjet dhe pajisjet e hokejit. Këto tarifa i shtohen detyrimeve ekzistuese amerikane ndaj çelikut, aluminit, automjeteve dhe drurit kanadez.
Përfaqësuesi amerikan për Tregtinë, Jamieson Greer, akuzoi Kanadanë se kishte paraqitur kërkesa të reja dhe kishte tërhequr disa nga zotimet e mëparshme, duke prishur balancën e arritur gjatë negociatave. Tensionet tregtare mes dy vendeve janë rritur që nga rikthimi i Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, ndërsa Kanadaja dhe SHBA-ja kanë zhvilluar negociata të përsëritura për më shumë se një vit.
Kanadaja kishte kërkuar uljen e tarifave, ndërsa SHBA-ja kishte kërkuar, ndër të tjera, heqjen e tarifave hakmarrëse kanadeze ndaj automjeteve amerikane dhe rritjen e kuotave për produktet amerikane të qumështit.
Dhoma Amerikane e Tregtisë ka paralajmëruar se tarifat e reja mund të dëmtojnë të dyja ekonomitë, të rrisin kostot për konsumatorët dhe të rrezikojnë miliona vende pune të lidhura me tregtinë mes dy vendeve. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
