Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, dhe presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Ismet Krasniqi, kanë shprehur mbështetjen e tyre për ekipin kosovar që po merr pjesë në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”.
Haxhiu ka vlerësuar pjesëmarrjen e Kosovës me një numër rekord sportistësh dhe disiplinash, duke u uruar atyre suksese dhe medalje në këtë ngjarje të madhe sportive. Haxhiu: Sporti e ka ngritur flamurin aty ku ne nuk kemi mundur “Mua më vjen mirë që ekipi ynë është diku 136… po, 63 sportistë?
Po, 63 sportistë, pra ndër ekipet më të mëdha në 21 sporte dhe nëse i krahasojmë me lojërat e mëhershme është ekipi më i madh me sporte më së shumti. Prandaj unë ju uroj më të mirat në këto Lojëra Mesdhetare.
Unë jam e bindur që do të ktheheni me medalje në Republikën e Kosovës dhe faleminderit që na keni zbardhur fytyrën si shtet, sepse aty ku ne nuk kemi pasur mundësi me depërtuar, jeni pikërisht ju ata që e keni ngritur flamurin e Republikës tonë. Jepni më të mirën nga vetja juaj, e di që do ta bëni.
Neve na keni pas, jo vetëm neve si institucione, por krejt qytetarët e Republikës së Kosovës e diaspora jonë e ka mendjen apo zemrën tek ju”, tha Haxhiu. Në të njëjtën linjë u shpreh edhe presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, i cili pjesëmarrjen rekord të Kosovës e cilësoi si historike dhe theksoi rëndësinë e sportit në promovimin e vendit.
Krasniqi: Përmes sportit e dërgojmë Kosovën në tjetër nivel “Po më bëhet zemra mal që ju shoh në kaq shumë numër të madh. Kjo është një ditë historike edhe një vit historik për ne, se Kosova po përfaqësohet me një numër rekord sportistësh. Ndoshta e keni vërejtur edhe vetë, edhe me presidenten tonë na tha edhe kapiteni i kësaj anijeje që Kosova është me një numër jashtëzakonisht të madh.
Kjo na bën shtet të fortë, shtet të sigurt, shtet që e do sportin, edhe kjo është krenaria e Kosovës. Ne përmes sportit e dërgojmë Kosovën në një nivel tjetër. Kjo është falë jush, falë punës suaj, trajnerëve tuaj, federatave tuaja, e ne kemi edhe më shumë motiv që t’ju përkrahim edhe t’ju dërgojmë në nivele më të larta që mundemi”, u shpreh Krasniqi.
Pas takimit me sportistët, kapiteni i anijes e ftuan Haxhiun për të vizituar ambientete luksoze të anijes Aroya, duke përfshirë edhe kabinen e kapitenit. Kosova po merr pjesë në “Taranto 2026” me delegacionin më të madh në historinë e saj në Lojërat Mesdhetare, duke garuar në 21 sporte me 63 sportistë.
