Ekskluzive | Zgjerohet hetimi për shkëmbimin e zjarrit në Mitrovicë –

0%

Hetimet për shkëmbimin e dyshuar të zjarrit në një objekt banesor pranë Sheshit “Isa Boletini” në Mitrovicë kanë marrë një zhvillim të ri. Pas vetëdorëzimit të dy personave të parë, Policia ka identifikuar edhe dy të dyshuar të tjerë, duke e çuar në katër numrin e personave të përfshirë në hetimin për vrasje në tentativë.

Sinjali mëson se personi i tretë i identifikuar është Valon Hyseni rreth 29-vjeçar , i cili tashmë është paraqitur në Polici dhe është ndaluar për 48 orë. Ndërkohë, personi i katërt, Valton Hyseni , nuk është gjetur nga Policia dhe aktualisht ndodhet në kërkim policor. Rasti lidhet me të shtënat e 9 gushtit, rreth orës , në një objekt banesor në zonën e Sheshit “Isa Boletini”.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali , në vendngjarje ishin gjetur gjurmë që ngritën dyshimet për një përballje me armë nga dy anë. Policia kishte konstatuar vrima nga predhat në derën e banesës ku ndodheshin disa prej të dyshuarve, ndërsa dyshohet se nga brenda banesës ishte shtënë në drejtim të personave që ndodheshin në korridor.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Edhe dera e banesës përballë kishte pësuar dëmtime. Në korridor janë gjetur dhe sekuestruar gëzhoja të kalibrave të ndryshëm, ndërsa në vendngjarje janë tërhequr edhe predha. Këto të dhëna kanë ngritur dyshimin se gjatë incidentit janë përdorur së paku dy armë. Hetimi fillimisht ishte fokusuar te Endri Cakiqi 18-vjeçar dhe Albi Cakiqi rreth 24-vjeçar .

Pas disa ditësh në kërkim, më 20 gusht, rreth orës , të dy janë vetëdorëzuar në Polici në praninë e avokatëve të tyre mbrojtës. Gjatë paraqitjes, njëri prej tyre ka dorëzuar edhe një pistoletë të tipit “Zastava”, për të cilën ka pretenduar se është arma e përdorur në incident. Arma është sekuestruar dhe pritet të jetë pjesë e ekzaminimeve të mëtejshme.

Pas intervistimit, me vendim të Prokurorit të çështjes, të dy janë ndaluar për 48 orë. Por hetimet nuk janë ndalur me vetëdorëzimin e tyre. Nga veprimet e mëtejshme dhe intervistimi i dy të dyshuarve, hetuesit kanë arritur të identifikojnë edhe Valon dhe Valton Hysenin si persona të dyshuar në lidhje me rastin. Policia i ka kërkuar të dy në shtëpinë e tyre, por fillimisht nuk i ka gjetur.

Atyre u janë lënë ftesa për paraqitje të menjëhershme në Polici. Pas kësaj, Valon Hyseni është paraqitur, ku është intervistuar në praninë e avokatit mbrojtës. Me vendim të Prokurorit të çështjes, edhe ai është ndaluar për 48 orë. Valton Hyseni , ndërkaq, nuk është paraqitur dhe deri në informacionet e fundit mbetet në arrati dhe në kërkim policor.

Kështu, hetimi për të shtënat pranë Sheshit “Isa Boletini” tashmë përfshin katër persona të dyshuar – tre prej tyre janë siguruar nga organet e rendit, ndërsa i katërti po kërkohet. Motivi i përplasjes nuk është sqaruar ende. Prokuroria po e trajton rastin si “Vrasje në tentativë”, ndërsa përgjegjësia individuale e secilit prej personave të dyshuar mbetet për t’u përcaktuar gjatë hetimeve.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

Burimi: sinjali.com