Hetimet për të shtënat me armë zjarri pranë Sheshit “Isa Boletini” në Mitrovicë janë zgjeruar. Nga dy persona të dyshuar fillimisht, rrethi i hetimit tashmë është zgjeruar në katër, ndërsa njëri prej tyre vazhdon të jetë në arrati.
Sinjali mëson se personi që aktualisht po kërkohet nga Policia është Valton Hyseni , i cili është identifikuar gjatë vazhdimit të hetimeve për rastin e iniciuar si “ Vrasje në tentativë ”. Ngjarja kishte ndodhur më 9 gusht, rreth orës , në një objekt banesor pranë Sheshit “Isa Boletini”, ku ishin raportuar të shtëna me armë zjarri.
Kur Policia kishte mbërritur në vendngjarje, kishte konstatuar vrima nga predhat në derën e banesës ku ndodheshin personat e dyshuar, ndërsa dyshohej se nga brenda ishte shtënë në drejtim të disa personave që ndodheshin në korridor. Gjurmët e gjetura në vendngjarje kishin ngritur dyshime për një përballje me armë nga dy palë.
Në korridor ishin gjetur dhe sekuestruar disa gëzhoja, të cilat dyshohet se u përkisnin kalibrave të ndryshëm, ndërsa e dëmtuar kishte mbetur edhe dera e banesës përballë. Hetimet fillimisht ishin përqendruar te Endri Cakiqi, rreth 18-vjeçar dhe Albi Cakiqi, rreth 23-vjeçar, të cilët pas incidentit nuk ishin gjetur në vendngjarje.
Ekskluzive | Zgjerohet hetimi për shkëmbimin e zjarrit në Mitrovicë – identifikohen edhe dy të dyshuar, njëri arrestohet e tjetri në arrati Më 20 gusht, rreth orës , të dy u vetëdorëzuan në Polici në praninë e avokatëve të tyre mbrojtës. Njëri prej tyre dorëzoi edhe një pistoletë “Zastava”, për të cilën ka pretenduar se është arma e përdorur gjatë incidentit.
Arma është sekuestruar, ndërsa pas intervistimit, me vendim të Prokurorit, të dy janë ndaluar për 48 orë. Por intervistimi i tyre hapi një kapitull të ri të hetimit. Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, gjatë vazhdimit të veprimeve hetimore janë identifikuar edhe Valon Hyseni rreth 29-vjeçar dhe Valton Hyseni si persona të dyshuar në lidhje me rastin.
Policia i ka kërkuar të dy në shtëpinë e tyre, por nuk i ka gjetur. Për ta janë lënë ftesa që të paraqiteshin menjëherë në Polici. Pas kësaj, Valon Hyseni është paraqitur, është intervistuar në praninë e avokatit mbrojtës dhe, me vendim të Prokurorit të çështjes, është ndaluar për 48 orë. Ndryshe ka ndodhur me personin e katërt.
Valton Hyseni nuk është paraqitur dhe, sipas informacioneve që ka Sinjali, vazhdon të jetë në arrati dhe në kërkim policor. Kështu, nga katër personat që aktualisht figurojnë si të dyshuar në këtë hetim, tre kanë përfunduar në ndalim, ndërsa Policia po kërkon sigurimin e pranisë së Hysenit.
Motivi që çoi në të shtënat e 9 gushtit ende nuk është sqaruar, ndërsa hetimet vazhdojnë për të përcaktuar rolin individual të secilit prej personave të dyshuar dhe dinamikën e plotë të përplasjes. Rasti po trajtohet si “Vrasje në tentativë”, ndërsa të gjithë personat e përfshirë në cilësinë e të dyshuarve gëzojnë prezumimin e pafajësisë deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.
Ekskluzive | 11 ditë në kërkim pas të shtënave në Mitrovicë – dorëzohen dy vëllezërit Cakiqi, njëri sjell edhe armën në Polici Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
