Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se sot do të zhvillojë një takim me komandantin e KFOR-it, gjeneralin Ozkan Ulutash, ku një nga temat kryesore pritet të jetë hapja e plotë e Urës së Ibrit për qarkullim të automjeteve.
Kurti tha se institucionet e Kosovës janë në komunikim të vazhdueshëm me KFOR-in për të siguruar që procesi të zhvillohet në mënyrë të qetë dhe pa incidente.
“Sa i përket itinerarit për hapjen e plotë të Urës së Ibrit, përkatësisht marrjen nën kontroll tërësisht nga ana e Policisë së Kosovës ne jemi në komunikim të vazhdueshëm me KFOR-in dhe sot pasdite kam një takim në kryeministri me gjeneralin e KFOR-it, komandantin Ozkan Ulutash.
Pra, jemi në komunikim të përditshëm, qoftë Kryeministria, qoftë Ministria e Brendshme në mënyrë që të shkojë gjithçka në mënyrë të qetë dhe paqësore.
Duhet të përkujtojmë që pas ndërtimit të urave të reja është bërë absurde që ajo urë të mbahet e mbyllur dhe fakti që qytetarët kanë qarkulluar lirshëm në këto urat e reja dhe nuk ka shtim as të incidenteve e as të tensioneve tregojnë që qarkullimi i njerëzve dhe mallrave, liria gjithnjë më e madhe e lëvizjes është e dobishme jo vetëm për ekonominë, por edhe për paqen e ekonominë”, u shpreh Kurti, raporton kp.
