Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur mangësi në procesin e prokurimit për mirëmbajtjen rutinore dhe dimërore të autoudhëve A6 dhe A7 për periudhën 2025–2028. Sipas raportit, Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit nuk kishte siguruar që procedura të zhvillohej plotësisht në përputhje me parimet e ekonomisë, efikasitetit, trajtimit të barabartë dhe mosdiskriminimit.
Procedura, me vlerë të parashikuar prej 15.9 milionë eurosh, ishte iniciuar vetëm 36 ditë para skadimit të kontratave ekzistuese. Hapja e ofertave ishte shtyrë pesë herë, ndërsa procedura ishte zgjatur për rreth pesë muaj për shkak të kërkesave për rishqyrtim, ankesave dhe korrigjimeve në dosjen e tenderit.
Për shkak të vonesave, Ministria kishte përdorur katër kontrata të negociuara gjashtëmujore për të siguruar mirëmbajtjen e autoudhëve, përmes të cilave deri në korrik 2026 ishin paguar rreth 2.8 milionë euro . ZKA vlerëson se kjo kishte kufizuar konkurrencën dhe transparencën.
Auditimi ka evidentuar edhe se Ministria nuk kishte analizuar të gjitha kombinimet e mundshme të ofertave për katër lotet. Sipas ZKA-së, një kombinim alternativ do të mundësonte çmim rreth 15% më të ulët, duke krijuar mundësi për më shumë shërbime me të njëjtin buxhet. Vëmendje të veçantë kanë marrë edhe dallimet mes çmimeve referente dhe atyre të ofruara.
Në Lotin 3, 77 nga 113 pozicione ishin ofertuar me çmime mbi 90% më të ulëta se çmimet referente të Ministrisë. Në disa raste, pozicione të vlerësuara me 180 apo 240 euro ishin ofertuar vetëm 0.10 euro për njësi.
ZKA ka identifikuar gjithashtu rrethana që potencialisht mund të paraqisnin konflikt interesi, pasi kryesuesi i Komisionit të Vlerësimit kishte pasur më herët angazhim profesional me operatorin ekonomik të shpallur fitues në njërin prej loteve.
Për përmirësimin e procesit, ZKA i ka dhënë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit shtatë rekomandime, duke kërkuar forcimin e kontrolleve, analizimin më të mirë të çmimeve, përzgjedhjen e ofertave më ekonomike dhe menaxhimin e rasteve të mundshme të konfliktit të interesit. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
