Zvicra po përjeton një rritje të vazhdueshme të popullsisë, e cila tashmë ka kaluar pragun e 9 milionë banorëve. Sipas të dhënave më të fundit demografike të Entit Federal të Statistikave, ky zgjerim i popullsisë është kryesisht rrjedhojë nga imigrimi si dhe rritja e jetëgjatësisë, ndërkohë që vendi përballet me sfida të reja sa i përket plakjes së shoqërisë.
Faktori kryesor i rritjes mbetet imigrimi i fuqisë punëtore të kualifikuar nga vendet e Bashkimit Evropian dhe më gjerë. Pa ardhjen e banorëve të rinj nga jashtë, popullsia zvicerane do të shënonte rënie, pasi shkalla e lindshmërisë tek gratë vendase mbetet në nivele të ulëta dhe nuk mjafton për të zëvendësuar brezat. Një tjetër zhvillim i rëndësishëm lidhet me strukturën e moshës.
Zvicra po plaket me ritme të shpejta: brezi i të ashtuquajturve “baby boomers” (të lindur në vitet ’50 dhe ’60) po del gradualisht në pension. Kjo bën që përqindja e personave mbi 65 vjeç të rritet ndjeshëm, ndërsa numri i personave në moshë pune po pëson tkurrje relative.
Sipas projeksioneve zyrtare për dekadat e ardhshme, nëse këto tendenca vazhdojnë, popullsia e Zvicrës mund të arrijë deri në 10 milionë banorë rreth mesit të këtij shekulli.
Kjo rritje sjell me vete sfida të mëdha praktike për vendin, veçanërisht në menaxhimin e infrastrukturës, hapësirave të banimit, transportit publik si dhe financimin afatgjatë të sistemit të pensioneve dhe kujdesit shëndetësor.
