Nga varret masive te drejtësia: Halilaj tregon çfarë ndodh pas

0%

Ka përfunduar procesi katërjavor i gërmimeve vlerësuese dhe zhvarrosjes së mbetjeve mortore në tri lokacione të konfirmuara si varre masive në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut. Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka njoftuar se në lokacionin e tretë është konfirmuar prania e mbetjeve mortore të gjashtë individëve.

Me këto gjetje, numri i personave, mbetjet mortore të të cilëve janë gjetur në tri lokacionet, ka arritur në 23, të dyshuar si viktima të zhdukjes me forcë. Gjatë katër javëve të punës në terren janë kryer gërmime vlerësuese, zhvarrosje të mbetjeve mortore, dokumentim mjekoligjor, si dhe vlerësim i hapësirave me interes.

Në këtë proces kanë qenë të angazhuara ekipet e Institutit për Mjekësi Ligjore, Sektorit të Policisë për Persona të Zhdukur në kuadër të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, si dhe njësi të tjera përkatëse të Policisë dhe sigurisë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Procesi është zhvilluar me mbështetjen e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe Qeverisë së Kosovës, në zbatim të urdhrit të gjykatës kompetente, pas kërkesës së prokurores së rastit në Departamentin për Krime Lufte të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës. Në punën në terren kanë kontribuar edhe ekipet mjekoligjore të EULEX-it, në kuadër të Institutit për Mjekësi Ligjore.

Tash procedurat do të vazhdojnë me ekzaminimet mjekoligjore dhe identifikimin përmes analizave të ADN-së. Përmes këtij procesi synohet konfirmimi i identitetit të viktimave dhe, më pas, ndërmarrja e hapave të mëtejmë, përfshirë njoftimin zyrtar të familjeve.

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka shprehur mirënjohje për të gjitha ekipet dhe institucionet e përfshira në proces, si dhe për familjet e personave të zhdukur dhe Shoqatën e Familjeve “Zëri i Prindërve” për bashkëpunimin e tyre.

Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, ka treguar gjithashtu se gërmimet në lokacionet e dyshuara për varreza masive kanë përfunduar, duke shtuar se procesi i identifikimit të analizave të AND-së merr më tepër kohë.

“Saktë janë diku rreth 4 javë pune në kuptimin e angazhimit, pra nga fundi i muajit deri më sot dhe realisht i bie që mund të konfirmohet që hapësira tanimë është shënuar, pra në kuadër të lokacioneve të konfirmuara të varreve masive.

Mund të konfirmohet si proces i përfunduar në kuptimin e vlerësimit të lokacioneve dhe procesit të zhvarrosjes të gjitha mbetjeve mortore të cilatpastaj në vazhdimësi janë dërguar në IML për ekzaminimin e mëtutjeshëm ligjor përfshirë edhe analizat e ADN-së. “Çdo gjë që do jetë në kompetencë të institucioneve të Kosovës sigurisht do të vlerësohet me shumë prioritet dhe profesionalizëm.

Procesi i identifikimit përmes analizave të ADN-së mund të marrë pak më shumë kohë. Në momentin që do të pranojmë raportin e ADN-së do të ndjekim hapat e nevojshme dhe pashmangshëm një nga hapat e menjëhershëm do jetë njoftimi i familjeve. Kjo pjesë do të marrë pak më shumë kohë”, ka thënë ai.

Avokati Gazmend Halilaj, thotë se pas përfundimit të gërmimeve duhet të sigurohet dokumentimi i plotë i lokacionit, ekzaminimi profesional i mbetjeve mortore, marrja e mostrave biologjike dhe ruajtja e çdo prove në mënyrë të tillë që integriteti i saj të mos vihet në dyshim. Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, Halilaj tregon se analiza e ADN-së ka rëndësi të veçantë.

“Pas përfundimit të gërmimeve në lokacionet e dyshuara për varreza masive, puna e institucioneve nuk përfundon me gjetjen e mbetjeve mortore. Përkundrazi, aty fillon një fazë tjetër jashtëzakonisht e rëndësishme, si në aspektin human, ashtu edhe në atë juridik dhe penal.

Çdo mbetje mortore, çdo objekt personal, veshje, gjurmë apo material tjetër i gjetur në një lokacion të tillë mund të ketë rëndësi për përcaktimin e identitetit të viktimave dhe për rindërtimin e rrethanave në të cilat kanë humbur jetën.

Për këtë arsye, pas përfundimit të gërmimeve duhet të sigurohet dokumentimi i plotë i lokacionit, ekzaminimi profesional i mbetjeve mortore, marrja e mostrave biologjike dhe ruajtja e çdo prove në mënyrë të tillë që integriteti i saj të mos vihet në dyshim. Në raste të tilla, një rëndësi të veçantë ka analiza e ADN-së”, deklaron Halilaj.

Avokati Gazmend Halilaj ADN-ja mund të tregojë kush është viktima, thotë Halilaj, por sipas tiij, për të përcaktuar përgjegjësinë penale duhet të ndërtohet lidhja ndërmjet viktimës, vendit të ngjarjes, mënyrës së vdekjes dhe personave që dyshohen për kryerjen e veprës. Sipas tij, çdo provë duhet të ketë një zinxhir të qartë të ruajtjes.

“Përmes krahasimit të materialit gjenetik nga mbetjet mortore me mostrat e familjarëve, mund të përcaktohet me një shkallë shumë të lartë sigurie identiteti i viktimës.

Për familjet që kanë pritur me vite apo dekada për një përgjigje, një identifikim i tillë nuk është vetëm rezultat shkencor apo juridik, por para së gjithash është një e drejtë njerëzore dhe një mundësi për t’i dhënë fund pasigurisë. Megjithatë, duhet bërë një dallim i qartë: identifikimi i viktimës nuk është i njëjtë me përcaktimin e autorit të krimit.

ADN-ja mund të tregojë se kush është viktima, por për të përcaktuar përgjegjësinë penale duhet të ndërtohet lidhja ndërmjet viktimës, vendit të ngjarjes, mënyrës së vdekjes dhe personave që dyshohen për kryerjen e veprës. Këtu merr rëndësi të veçantë ruajtja dhe administrimi i provave.

Çdo provë duhet të ketë një zinxhir të qartë të ruajtjes: kur është gjetur, kush e ka marrë, ku është ruajtur, kush e ka ekzaminuar dhe cilat metoda janë përdorur.

Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme, sepse një provë mund të jetë shumë e fuqishme në aspektin faktik, por nëse nuk është mbledhur dhe ruajtur sipas standardeve ligjore dhe profesionale, mund të lindin kontestime serioze për përdorimin e saj në procedurë penale. Përgjegjësia për këtë proces është institucionale” , shprehet avokati.

Halilaj thotë se hetimet duhet të jenë edhe se ku është vrarë viktima, kur, në çfarë rrethanash, kush ka qenë i pranishëm, cilat struktura kanë vepruar në atë zonë dhe nëse ekzistojnë prova që mund ta lidhin ndonjë person konkret me krimin.

“Prokuroria dhe Policia duhet të sigurojnë që provat të mblidhen dhe të administrohen në mënyrë të ligjshme, ndërsa ekspertët e mjekësisë ligjore dhe institucionet përkatëse duhet të garantojnë ekzaminimin dhe ruajtjen profesionale të materialit mortor dhe biologjik.

Çdo hallkë e këtij procesi ka rëndësi, sepse bëhet fjalë për prova që potencialisht mund të përdoren edhe shumë vite më vonë në një proces gjyqësor. Pas identifikimit të viktimave, këto prova mund të kenë rëndësi të madhe për hapjen ose avancimin e procedurave penale.

Nëse ekzistojnë të dhëna se vdekja ka ardhur si pasojë e një krimi lufte, atëherë identifikimi i viktimës mund të jetë vetëm fillimi i një hetimi më të thellë.

Duhet të hetohet jo vetëm se kush ka qenë viktima, por edhe ku është vrarë, kur, në çfarë rrethanash, kush ka qenë i pranishëm, cilat struktura kanë vepruar në atë zonë dhe nëse ekzistojnë prova që mund ta lidhin ndonjë person konkret me krimin”, thekson Halilaj.

Në fund, sipas tij, pas çdo gërmimi duhet të ekzistojë një qasje e dyfishtë: nga njëra anë, t’u jepet familjeve përgjigje për fatin e më të dashurve të tyre dhe, nga ana tjetër, të shfrytëzohet çdo provë e mundshme për të zbardhur rrethanat e krimit dhe për të përcaktuar përgjegjësinë penale. Ai shton se drejtësia nuk mund të ndërtohet mbi emocione apo supozime.

“Në këtë kuptim, një varrezë masive nuk duhet të trajtohet vetëm si një vend ku kërkohen mbetje mortore. Ajo mund të jetë një skenë krimi që mund të japë informacione të rëndësishme për mënyrën e kryerjes së veprës, për rrethanat e vdekjes dhe potencialisht edhe për autorët. Edhe nëse kanë kaluar shumë vite, kjo nuk do të thotë se provat nuk kanë më vlerë.

Përkundrazi, në rastet e krimeve të luftës, çdo provë e re mund të ndihmojë në plotësimin e mozaikut të një ngjarjeje që për shumë familje ende nuk ka marrë përgjigje përfundimtare.

Prandaj, pas çdo gërmimi duhet të ekzistojë një qasje e dyfishtë: nga njëra anë, t’u jepet familjeve përgjigje për fatin e më të dashurve të tyre dhe, nga ana tjetër, të shfrytëzohet çdo provë e mundshme për të zbardhur rrethanat e krimit dhe për të përcaktuar përgjegjësinë penale. Në fund, drejtësia nuk mund të ndërtohet mbi emocione apo supozime.

Ajo duhet të ndërtohet mbi prova të mbledhura dhe të ruajtura në mënyrë profesionale dhe të ligjshme. Nëse provat e gjetura në këto lokacione arrijnë të lidhen me persona konkretë dhe me veprime konkrete kriminale, ato mund të kenë rëndësi vendimtare për procedurat penale dhe për vendosjen e përgjegjësisë. Për viktimat dhe familjet e tyre, identifikimi është një hap drejt së vërtetës.

Për drejtësinë, ai duhet të jetë edhe një hap drejt zbardhjes së plotë të krimit dhe përgjegjësisë së atyre që e kanë kryer”, përfundon avokati.

Burimi: Bota Sot