Platforma qytetare “Liria ka Emër” do të organizojë më 12 shtator në Prishtinë “Marshin për Liri”, nën moton “Kosova po pret”. Marshi do të mbahet katër ditë para shpalljes së verdiktit nga Dhomat e Specializuara në Hagë për themeluesit dhe drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Gjatë një konference për media, përfaqësuesit e platformës, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, kanë prezantuar aktivitetet që do t’i paraprijnë dhe pasojnë marshin, duke bërë thirrje për pjesëmarrje të gjerë qytetare dhe politike. Organizatorët kanë ftuar edhe liderët e katër partive më të mëdha shqiptare në Kosovë që t’i bashkohen marshit.
“I ftojmë të gjitha partitë politike shqiptare dhe liderët e katër partive më të mëdha në vend, z. Kurti, z. Hamza, z. Abdixhiku, z. Gjini, që të bëhen pjesë e Marshit për Liri. Kjo ftesë u drejtohet të gjithëve, pa përjashtim”, tha Tasholli. Ai ka theksuar se pjesëmarrja e liderëve politikë synohet të jetë në funksion të Kosovës dhe jo të fushatës partiake.
“I ftojmë këta të jenë të pranishëm dhe të kenë adresimin e tyre publik në Marshin për Liri. Jo për të bërë fushatë. Jo për të ngritur flamuj partiakë. Por për Kosovën, për lirinë, për të ardhmen”, u shpreh ai. Sipas organizatorëve, aktivitetet do të zhvillohen edhe në ditët para dhe pas marshit, ndërsa thirrja për pjesëmarrje mbetet e hapur për të gjithë, pa dallime politike.
“Marshi për Liri” do të mbahet më 12 shtator në Prishtinë, ndërsa verdikti i Dhomave të Specializuara në Hagë pritet të shpallet më 16 shtator. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
