Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka shprehur shqetësim të thellë për krizën institucionale në vend, duke theksuar se vonesat në konstituimin e Kuvendit mund të pengojnë reformat dhe të rrezikojnë përfitimin e fondeve të BE-së.
“Nga perspektiva e BE-së, ne jemi gjithnjë e më të shqetësuar nga kriza institucionale në përshkallëzim në Kosovë, veçanërisht nga fakti që Kuvendi mbetet i pakonstituuar pas skadimit të afatit kushtetues më 7 gusht”, tha zëdhënësi i Zyrës së BE-së, Nikola Gaon për rtv21.
Sipas BE-së, vonesat në formimin e institucioneve mund të ndikojnë në zbatimin e reformave të rëndësishme dhe në aftësinë e Kosovës për të përfituar plotësisht nga mundësitë që ofron Bashkimi Evropian. Në veçanti, Brukseli paralajmëron për ndikimin që ngërçi institucional mund të ketë në përfitimet e Kosovës nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
BE-ja u ka bërë thirrje partive politike që të zhvillojnë një dialog efikas dhe konstruktiv, duke vlerësuar se vetëm një qasje e tillë mund t’i mundësojë Kosovës të ndjekë objektivat e përbashkëta dhe të zbatojë reformat e kërkuara nga qytetarët.
“Respektimi i Kushtetutës, jurisprudencës së detyrueshme të Gjykatës Kushtetuese, sundimit të ligjit dhe qeverisjes së mirë kërkon që procesi konstituiv të vazhdojë pa vonesa të mëtejshme, me të gjithë aktorët që përmbushin përgjegjësitë e tyre përkatëse”, theksoi tutje Goan. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!