Premierliga është edhe një herë mbretëresha dhe padronja e tregut veror të futbollit, ndërsa diferenca tashmë është zyrtarisht e dukshme. Dhe e paarritshme. Klubet angleze e kanë kaluar shifrën rekord të 2 miliardë funteve të investuara, duke tejkaluar, deri tani, të vetme shpenzimet totale të ligave më të forta si Serie A, La Liga, Bundesliga dhe Ligue 1 të marra së bashku.
Në krye të këtij demonstrimi epokal të fuqisë financiare janë dy transferime të ngjashme, që e kanë rishkruar historinë e futbollistëve britanikë më të shtrenjtë të të gjitha kohërave. Sepse e pabesueshmja është se dy lojtarët më të shtrenjtë janë anglezë. Dhe, parë nga këndvështrimi ynë, është edhe më e pabesueshme që ata nuk janë dy futbollistë të konsideruar ndër më të mirët në botë.
Uluni rehat. Dhe hapini mirë sytë, shkruan “Tuttomercatoweb”, përcjell “Gazeta Express”. Chelsea, mbreti i padiskutueshëm i shpenzimeve të verës me më shumë se 400 milionë euro të investuara, e siguroi fronin duke e blerë Morgan Rogers nga Aston Villa për shifrën rekorde prej 137.3 milionë eurosh, për të qenë të saktë. Përgjigjja e Manchester Cityt nuk vonoi.
Klubi nga Manchesteri reagoi duke e marrë Elliot Anderson nga Nottingham Forest për plot 135 milionë euro. Dhe më pas është revolucioni i Tottenhamit, pas rënies thuajse katastrofike të sezonit të kaluar. 260 milionë euro të shpenzuara për t’i transferuar Sandro Tonalin nga Newcastle për 108 milionë euro, Mateus Fernandes nga West Ham për 99 milionë dhe Jan Paul van Hecke nga Brighton për 60 milionë.
Pas mbijetesës së arritur në momentet e fundit, shpresa e Spurs është të rikthehen në garën për një vend në Champions League. Një hap i madh… Të tjera shifra interesante: Liverpooli i ka shpenzuar plot 63.6 milionë euro për Jeremy Jacquet nga Rennes, ndërsa Aston Villa i ka paguar 60 milionë për Johan Manzambi.
Chelseat i janë dashur 61 milionë euro për Maxence Lacroix, ndërsa Brightoni i ka shpenzuar 54 milionë euro për Luka Vushkoviq. Shifra jashtëzakonisht të larta për futbollistë që sigurisht nuk janë emra të kopertinave. Nuk po flasim për të rinj apo talente që luftojnë për Topin e Artë. Janë transferime që e bëjnë edhe më të qartë diferencën mes kampionateve të tjera dhe Premierligës.
