Klubi i Interit ka bërë sot zyrtarë numrat e fanellave që do të mbajnë futbollistët e tij për edicionin 2026-2027. Dhe në këtë listë është përfshirë edhe emri i Kristjan Asllanit, ndonëse ai nuk bën pjesë në planet e Kristian Kivu te zikaltrit.
Në listën e publikuar nga Interi, mesfushori i Kombëtares shqiptare ka numrin 21, të njëjtin që ka mbajtur edhe dy sezone më parë, para se të largohej nga zikaltrit për të provuar një eksperiencë te Torino fillimisht, e pastaj te Beshiktashi. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se Asllani do të mbetet pjesë e zikaltërve.
Klubi po punon t’i gjejë një sistemim futbollistit në ditët e fundit të merkatos. Por për momentin, i vetmi klub i interesuar seriozisht për të duket Monza, ku objektivi i vetëm për të cilin Asllani do të luftojë është mbijetesa në elitë. Si për ironi të fatit, ndeshja e parë e Serisë A vendos Interin pikërisht përballë Monzës.
