Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, Kushtrim Gara tha se gërmimet në lokacionet e dyshuara për varrezat masive kanë përfunduar. Gara tha se pas katër javësh punë procesi i zhvarrosjes së pjesëve kockore ka përfunduar.
“Saktë janë diku rreth 4 javë pune në kuptimin e angazhimit, pra nga fundi i muajit deri më sot dhe realisht i bie që mund të konfirmohet që hapësira tanimë është shënuar, pra në kuadër të lokacioneve të konfirmuara të varreve masive.
Mund të konfirmohet si proces i përfunduar në kuptimin e vlerësimit të lokacioneve dhe procesit të zhvarrosjes të gjitha mbetjeve mortore të cilat pastaj në vazhdimësi janë dërguar në IML për ekzaminimin e mëtutjeshëm ligjor përfshirë edhe analizat e ADN-së ”, tha Gara.
I pyetur rreth kohës se kur do të njoftohen familjarët e viktimave, ai tha se procesi i identifikimit përmes analizave të ADN-së është proces që merr më shumë kohë, por shtoi se sapo të pranohet rezultati i analizave do të njoftohen edhe familjarët. “Çdo gjë që do jetë në kompetencë të institucioneve të Kosovës sigurisht do të vlerësohet me shumë prioritet dhe profesionalizëm.
Procesi i identifikimit përmes analizave të ADN-së mund të marrë pak më shumë kohë. Në momentin që do të pranojmë raportin e ADN-së do të ndjekim hapat e nevojshme dhe pashmangshëm një nga hapat e menjëhershëm do jetë njoftimi i familjeve. Kjo pjesë do të marrë pak më shumë kohë”, tha ai.
