Një informacion i pranuar nga hetuesit se një person në Gjakovë posedonte armë pa leje ka çuar Policinë në shtëpinë e tij, ku janë sekuestruar tri armë, karikatorë dhe municion, mëson Sinjali. Rasti është zhvilluar mbrëmjen e 20 gushtit, rreth orës , në rrugën “Hamez Zymberi” në Gjakovë. Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, personi i dyshuar është Kujtim Hasi 47-vjeçar.
Pas informacionit të pranuar, patrulla policore dhe Njësia e Hetimeve kanë shkuar bashkë me të dyshuarin në shtëpinë e tij. Hasi ka bashkëpunuar me zyrtarët policorë dhe i ka dorëzuar vullnetarisht armët që posedonte. Policia ka sekuestruar një armë të gjatë të tipit “shotgun”, dy pistoleta – njëra prej tyre “Zastava” – si dhe tre karikatorë, dy për pistoletë TT dhe një për “Zastava”.
Bashkë me armët janë sekuestruar edhe gjashtë fishekë të kalibrit 12GA dhe pesë fishekë të kalibrit 6.35 mm. Të gjitha armët, karikatorët dhe municioni janë marrë si prova materiale dhe do të trajtohen në kuadër të procedurës hetimore.
Për rastin është njoftuar Prokurori kujdestar, me udhëzim të të cilit është iniciuar rasti për “Mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve”. Pas përfundimit të procedurave fillestare, 47-vjeçari është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa rasti mbetet nën hetime.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
