Një figurë e vogël prej argjile, e krijuar mijëra vjet më parë, sot vazhdon të jetë një nga imazhet më të njohura të trashëgimisë kulturore të Kosovës.
E njohur si “Hyjnesha në Fron”, figura e zbuluar më 1956 në lokalitetin neolitik të Tjerrtores në Prishtinë, prej kohësh e ka tejkaluar statusin e një artefakti arkeologjik, duke u shndërruar në një simbol që ndërthur trashëgiminë materiale me kujtesën kolektive, identitetin kulturor dhe përfaqësimin institucional të Kosovës.
Sot, imazhi i saj është i pranishëm në institucione, aktivitete kulturore, botime, hapësira publike dhe dokumente zyrtare. Figura e “Hyjneshës në Fron” përdoret, ndër të tjera edhe nga Muzeu i Kosovës e Seminari i 44-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Ajo është simboli i Prishtinës.
Pikërisht ky rrugëtim, nga dëshmia materiale e periudhës së neolitit deri te shndërrimi i saj në një prej simboleve më të dallueshme të Kosovës bashkëkohore, ishte në qendër të një tryeze “Hyjnesha në Fron: jetëshkrimi kulturor i një artefakti”, të organizuar të enjten, më , në kuadër të Seminarit të 44-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare.
Për rëndësinë arkeologjike, historike, simbolike dhe kulturore të këtij artefakti diskutuan studiuesit Sedat Baraliu, Sadik Krasniqi dhe Shemsi Krasniqi.
Studiuesit, përmes kumtesave të tyre, ofruan një panoramë të gjerë të “Hyjneshës në Fron”, nga konteksti i saj arkeologjik dhe simbolika e figurës, te procesi i muzeifikimit dhe shndërrimi i saj në simbol kulturor e institucional, deri te prania dhe ripërdorimi i imazhit të saj në jetën publike.
Dëshmi e botës shpirtërore të komuniteteve neolitike Studiuesi Sedat Baraliu, në kumtesën e tij, “Hyjnesha në Fron: dëshmi e simbolikës dhe e shprehjes materiale të besimeve neolitike në Kosovë”, e trajtoi figurën si një shprehje materiale të botës simbolike të komuniteteve neolitike.
Ai analizoi karakteristikat tipologjike, ikonografike dhe simbolike të saj, duke e vendosur figurinën në kontekstin kulturor në të cilin ajo ishte krijuar dhe përdorur. Baraliu vlerësoi se “Hyjnesha në Fron” është ndër gjetjet më karakteristike dhe më të veçanta në raport me figurinat e tjera të periudhës së Neolitit në Evropë.
“Në këtë kuadër, ‘Hyjnesha në Fron’ trajtohet jo vetëm si një objekt i kulturës materiale, por edhe si një burim i rëndësishëm për kuptimin e botëkuptimeve, ritualeve dhe mënyrave të shprehjes së besimeve në komunitetet parahistorike të Kosovës”- u shpreh Baraliu, duke shtuar se krahasimi me gjetje të tjera prej terrakote, të zbuluara në vende të ndryshme të Evropës, e bën më të qartë pozitën e veçantë që zë kjo figurë në trashëgiminë arkeologjike të rajonit.
Muzeifikimi i “Hyjneshës në Fron” Një dimension tjetër të rëndësishëm të rrugëtimit të këtij artefakti neolitik e trajtoi Kuratori i Lartë në Muzeun e Kosovës, Sadik Krasniqi, në kumtesën «Muzeifikimi i Hyjneshës në Fron: nga artefakti arkeologjik te simboli kulturor dhe institucional».
Krasniqi analizoi procesin e muzeifikimit të saj, duke ndjekur rrugëtimin nga momenti i zbulimit arkeologjik, dokumentimit shkencor dhe ekspozimit muzeor, deri te transformimi i figurës në një simbol kulturor dhe institucional.
“’Hyjnesha në Fron’ paraqet një nga shembujt më domethënës të muzeifikimit në Kosovë, ku një artefakt arkeologjik tejkalon funksionin e tij fillestar si dëshmi materiale e së kaluarës dhe shndërrohet në bartës të vlerave identitare, kulturore dhe institucionale”- tha ai.
Sipas tij, rasti i “Hyjneshës në Fron” dëshmon se muzeifikimi nuk është thjesht proces i ruajtjes fizike të një objekti, por, një mekanizëm përmes të cilit trashëgimia kulturore interpretohet, komunikohet dhe integrohet në vetëdijen kolektive. Krasniqi foli edhe për periudhën e zhvendosjes së “Hyjneshës në Fron” në Beograd gjatë viteve 1998–2002, si dhe kthimit të saj në Kosovë.
Frontet e shumta të një simboli Kurse, studiuesi Shemsi Krasniqi, në kumtesën “Frontet e Hyjneshës në Fron”, u ndal te prania e këtij artefakti në jetën bashkëkohore dhe përdorimin publik, nga simbol të institucioneve deri tek përdorimi si gurthemel i objekteve të banimit.
Ai foli për përdorimin e shumanshëm të figurës, nga simbolet institucionale deri te përdorimi i saj në hapësira publike dhe në forma të ndryshme të kulturës vizuale. Ai tregoi për një rast kur një familje përdori një skulpturë me imazhin e Hyjneshës si gurthemel në një objekt banimi.
“Ajo përdoret si logo e institucioneve, seminareve, festivaleve të filmit, aktiviteteve kulturore e madje edhe garave sportive.
Në të njëjtën kohë, ajo shfaqet si element dekorues në objekte dhe hapësira publike, si skulpturë në sheshe ose rrethrrotullime, si motiv për vepra arti, ilustrim në kopertina librash dhe revistash, suvenir artizanal, aksesor bizhuterie apo edhe produkt mode”- tha ai.
Një nga format më të rëndësishme të ripërdorimit të saj, sipas Krasniqit, është fusha e dokumentacionit civil, pasi, siç tha ai, imazhi i “Hyjneshës në Fron” figuron në faqen e pasme të letërnjoftimit të qytetarëve të Kosovës.
“Ky simbol i lashtësisë është bërë pjesë e identitetit tonë bashkëkohor”-, u shpreh studiuesi Shemsi Krasniqi, duke dhënë vërejtje dhe sugjerime rreth përdorimit të imazhit të Hyjneshës në përdorimin publik. “Hyjnesha në Fron” përbën një nga gjetjet më të rëndësishme arkeologjike të periudhës së neolitit në Kosovë.
Ajo ka një lartësi prej rreth 18,5 centimetra që daton nga periudha 5 700 – 4 500 vjet para erës së re . P araqitet e ulur në mënyrë solemne mbi fron, me duart pranë beli dhe daton, me trupmbajtje të drejtë dhe tipare të stilizuara, duke e bërë këtë skulpturë nga shembujt më karakteristikë të artit figurativ neolitik në Evropën Juglindore.
Seminari 44-të për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare ka nisur të hënën më në Prishtinë dhe ka mbledhur mbi 100- studiues e studentë nga vendet të ndryshme të botës.
