Kryetari i Bashkisë Metropolitane të Izmirit, Cemil Tugay, ka vizituar sot Prishtinën, ku është pritur nga nënkryetari i Kryeqytetit, Florian Dushi. Në takim është diskutuar për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Prishtinës dhe Izmirit, si dhe për mundësinë e realizimit të nismave dhe projekteve të përbashkëta në fusha me interes për të dy qytetet.
Sipas njoftimit të Komunës së Prishtinës, vëmendje e veçantë i është kushtuar bashkëpunimit në fushën e kulturës dhe promovimit të ndërsjellë të traditave, vlerave dhe trashëgimisë së dy qyteteve dhe dy popujve. Gjatë takimit është vlerësuar se shkëmbimet kulturore dhe institucionale mund të kontribuojnë në afrimin e qytetarëve dhe forcimin e lidhjeve ndërmjet Prishtinës dhe Izmirit.
Po ashtu, është theksuar roli i komunitetit me prejardhje nga Kosova që jeton në Izmir, i cili u cilësua si një urë e rëndësishme miqësie dhe bashkëpunimi ndërmjet dy qyteteve dhe dy vendeve. Nënkryetari Dushi e ka falënderuar Tugayn për vizitën dhe ka shprehur gatishmërinë e Kryeqytetit për vazhdimin e komunikimit dhe konkretizimin e bashkëpunimit ndërmjet dy qyteteve.
