Vëllimi i tregtimit valutor në tregun e brendshëm arriti një rekord të ri historik në tremujorin e dytë të vitit. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se vlera e këmbimeve valutore arriti në gati 4.5 miliardë euro, në rritje me rreth 30% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Volumi i këmbimeve valutore kaloi edhe vlerat e regjistruara në tremujorin e tretë të vitit të kaluar. Për shkak të karakteristikave sezonale, tremujori i tretë i vitit shënon zakonisht volumet më të larta vjetore të këmbimeve valutore. Por këtë vit, shifrat e tremujorit të tretë të vitit të kaluar janë tejkaluar që në tremujorin e dytë, duke shënuar një rekord historik.
Pavarësisht rritjes së volumit të këmbimeve, që tregon rritje të ofertës për valutë në treg, leku vijoi trendin e tij mbiçmues edhe gjatë tremujorit të dytë të vitit. Kursi mesatar i lekut kundrejt euros zbriti në 94.8 në muajin qershor, nga 96 në muajin mars, me një forcim mesatar mujor të lekut prej 0.4%.
Në terma vjetorë, mbiçmimi i lekut u përshpejtua në 3.2% në tremujorin e dytë, nga 2.6% që ishte në tremujorin paraardhës. Tendenca mbiçmuese u theksua më tej gjatë muajit korrik, ku në tre javët e para kursi mesatar EUR/LEK zbriti në 93.8, me një forcim vjetor prej 4.0%.
Ndërkohë, e njëjta tendencë po vazhdon edhe gjatë muajit gusht, kur kursi i këmbimit EUR/LEK ka zbritur në mënyrë të qëndrueshme poshtë kufirit të 93 lekëve, në vlerat minimale historike. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, të martën euro u këmbye me 92.76 lekë, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë.
Banka e Shqipërisë vlerëson se rritja e volumeve të këmbimit valutor dhe, rrjedhimisht, edhe forcimi i vazhdueshëm i lekut, mbetet e lidhur ngushtë me ecurinë e bilancit të pagesave.
