Deputetët e PDK-së dhe Aleancës, edhe sot, më , janë paraqitur në sallën e Kuvendit, duke u bërë thirrje kolegëve të Lëvizjes Vetëvendosje që të kthehen në sallë dhe të mundësojnë konstituimin e Legjislaturës XI. Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, në konferencë për media përkujtoj se sot në mëngjes ka qenë edhe para Qeverisë duke kërkuar kthimin e Albin Kurtit në seancë.
“PDK edhe sot në mëngjes ka qenë para Qeverisë, duke kërkuar nga Albin Kurti të kthehet në seancë. Edhe sot, nga kjo foltore, ju bëjmë thirrje LVV-së të vijë në seancë. Ata po ua pamundësojnë deputetëve të tjerë ta ushtrojnë funksionin, derisa problemet për Kosovën po shtohen. Në mënyrë të kundërligjshme po shkelin rregulloren, Kushtetutën.
Nuk mundet një parti që ka fituar 47% të jetë bllokuese”- tha Deliu-Kodra. Ajo tha se PDK-ja tashmë e ka bërë të qartë qëndrimin e saj dhe se nuk e sheh të nevojshme një tjetër takim me Kurtin. “PDK e ka qartësuar pozicionin. Nuk kemi nevojë të takohemi me Kurtin, sepse e kemi parë që janë takime farsë.
Ne nuk do të takohemi me Albin Kurtin, sepse këto takime shërbejnë vetëm për zvarritjen e formimit të institucioneve” – deklaroi ajo. Në të njëjtën linjë u shpreh edhe deputeti i Aleancës, Burim Ramadani. Ai kritikoi bllokimin e punës së Kuvendit dhe largimin e deputetëve nga salla plenare. “Bllokimi i Kuvendit dhe ikja nga salla plenare nuk kanë as nder as përkushtim.
Kështu, sikurse po bëjnë, nuk po e kryejnë detyrën e tyre, për të cilën janë betuar si deputetë. Populli voton deputetët për t’i përfaqësuar dhe këta nuk po e përfaqësojnë popullin duke ikur nga salla. E hiç më hiç përfaqësim me dinjitet.
Ndërsa angazhimi për mbrojtjen e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë realisht është angazhim i kundërt, pra ka angazhim për shkelje kushtetuese”- tha Ramadani. Me këtë rast, ai përmendi edhe katër obligimet që, sipas tij, lidhen me betimin e deputetit dhe për të cilat pretendon se LVV-ja po dështon t’i përmbushë.
“Më lejoni t’i përmend katër shkeljet themelore të betimit të deputetit që po bën Lëvizja Vetëvendosje: nderi e përkushtimi, kryerja e detyrës së deputetit, përfaqësimi i popullit me dinjitet, angazhimi për mbrojtjen dhe respektimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë” – deklaroi deputeti i AAK-së.
Ai foli edhe për thirrjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian lidhur me formimin e institucioneve në Kosovë. “Thirrja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian nuk është shqetësuese, por është ndihmuese dhe duhet të jetë vetëdijësuese për partinë që ka bllokuar formimin e institucioneve.”- tha Ramadani.
PDK-ja dhe AAK-ja vazhdojnë të jenë të pranishme në sallën plenare, ndërsa nga LVV-ja po kërkohet që deputetët e saj të marrin pjesë në seancë për të mundësuar vazhdimin e procesit të konstituimit të Kuvendit. Paraprakisht, Artan Behrami e Altin Krasniqi, të dy nga PDK, kanë vendosur në ulëset e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, letra me mbishkrimin: “Respektoni Kushtetutën.
Konstituoni Kuvendin”. Jakup Nura, deputet i PDK-së, para mediave ka thënë se nuk janë duke folur për parti politike por për vendin, Kosovën. “Qytetarët votuan. Vullneti i tyre është shprehur. Tani duhet të respektohet vullneti dhe të ndërtohen institucionet.
Partia që ka fituar zgjedhjet ka të drejtë të propozojë Kryetarin e Kuvendit, por nuk ka të drejtë të mbajë peng Kuvendin”- deklaroi Nura. Derisa fliste për procedurat e seancës konstituive, ai tha se ndërprerja nuk mund të përdoret si mjet për zvarritje të pafundme. “48 orë nuk janë javë, nuk janë muaj, nuk janë pafundësi.
Kryesuesi i përkohshëm nuk është kryetar partie e as kryetar parlamenti. Nuk është përfaqësues i interesave të një grupi politik, por është aty për ta udhëhequr procedurën. Prandaj duhet të themi qartë: një funksion teknik nuk mund të shndërrohet në armë politike”- tha deputeti i PDK-së.
Nura ka shtuar se nëse dikush mendon që zgjedhjet e reja i sjellin vota, duhet t’i tregoj qytetarëve se përse po shkohet në zgjedhje. Albana Bytyqi e Aleancës në anën tjetër ka thënë se kur Kosova ka probleme e sfida, si përfaqësues të popullit nuk mund të rrinë të heshtur.
Ajo kërkoi formimin e institucioneve edhe për faktin se, sipas saj, Ligji për shtetësinë duhet të shfuqizohet dhe se çmimi i naftës në vend është 1.78 euro. “Kuvendi e institucionet duhet të formohen sepse në vendin tonë janë mijëra të rinj të diplomuar që u duhet punë, dinjitet e vazhdim të jetesës në Kosovë”- tha Bytyqi.
Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës ka filluar më dhe ka vazhduar edhe më për të mosvazhduar më. Dehari ka arsyetuar mosthirrjen e vazhdimit të seancës duke thënë se duhet marrëveshje politike mes partive. Kriza rreth konstituimit të Kuvendit ka vazhduar edhe pas tejkalimit të afatit 30-ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.
Në aktgjykimin e , Gjykata kishte përcaktuar se procedura e konstituimit duhet të përfundojë brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve zgjedhore dhe se Kuvendi nuk konsiderohet i konstituuar pa zgjedhjen e organeve të tij drejtuese. Ndërkohë, është tejkaluar edhe afati 48-orësh i përcaktuar me Rregulloren e Kuvendit si maksimumi i lejuar i ndërprerjes së seancës.
Pavarësisht kësaj, seanca konstituive ende nuk ka përfunduar dhe përplasjet politike vazhdojnë të pengojnë formimin e institucioneve të reja. Më Albin Kurti i LVV-së dhe Lumir Abdixhiku i LDK-së kanë mbajtur takim për të gjetur një emër konsensual për president të vendit. Pas takimit kanë deklaruar se në takimin e radhës do të flasin në tavolinë me emra konkretë.
