Ministri në detyrë i Rinisë dhe Sportit, Blerim Gashani, flet për prezantimin e raportit mbi ecurinë e përgatitjeve të Kosovës për organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, të prezantuar para Asamblesë së ICMG-së të mbajtur në Taranto të Italisë.
Në intervistë për RTK-në, ministri thekson rëndësinë e përgatitjeve të gjithanshme për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”, edhe të prezantimit dinjitoz të Kosovës në këtë ngjarje të madhe sportive ndërkombëtare, ku sportistët tanë do ta përfaqësojnë vendin me krenari.
Ministri ka bërë të ditur se delegacioni kosovar në Taranto është i fokusuar jo vetëm në pjesën sportive, por edhe në marrjen e përvojave dhe informatave të nevojshme për organizimin e Lojërave Mesdhetare. “Edicioni në Taranto është edicion specifike për arsye se pas këtij edicioni i ardhshëm është në Kosovë, prandaj jemi të foksuar pasi që stafeta do të na dorëzohet neve me 4 shtator.
Këtu jemi më gjithë ekipin, me komitetin organizativ të Lojërave Mesdhetare, edhe sportistët tonë tashmë kanë arritur dhe gjithçka është festive, optimiste”, ka thënë ministri Gashani. Sipas tij, fokusi i delegacionit të Kosovës në Taranto, përveç arenës së garës, është edhe përfitimi i sa më shumë informacioneve dhe njohurive për organizimin e një ngjarjeje të përmasave të tilla.
“Ne jemi të fokusuar që të dimë se çka na pret prandaj disa nga detyrat tona pak para hapjes se ceremoni zyrtare që mbahet nesër, ka qenë raporti i progresit të Kosovës drejt Lojërave Mesdhetare 2030. Atë e kemi prezantuar sot para pak kohesh para Asamblesë së Përgjithshme të ICMG-së, organizatë që organizon Lojërat Mesdhetare.
Ne u fokusuam në hapet që kemi bërë, punën që po bëhet edhe në infrastrukture dhe kornizën ligjore organizative në koordinim me institucionet” , ka theksuar ministri Gashani. Gushani është shprehur i bindur se Kosova do të jetë në kohë e gatshme për organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, një prej ngjarjeve më të mëdha sportive që do të zhvillohen në vendin tonë.
Ai ka vlerësuar se përgatitjet po zhvillohen në koordinim me institucionet përkatëse, ndërsa prezantimi i raportit para Asamblesë së Përgjithshme të ICMG-së paraqet një tjetër hap të rëndësishëm drejt organizimit të suksesshëm të Lojërave Mesdhetare në Kosovë.
