Apple pritet të zhvillojë në shtator eventin e saj më të rëndësishëm të vitit, por këtë herë kompania amerikane mund të sjellë një ndryshim të pazakontë në strategjinë e saj të lançimit të iPhone. Sipas një numri të madh raportimesh që qarkullojnë prej muajsh, iPhone 18 bazë nuk do të prezantohet në eventin e shtatorit.
Edhe pse Apple zakonisht ndjek një kalendar mjaft të parashikueshëm, këtë vit linja e re pritet të ndahet në dy faza. Zakonisht, në shtator Apple prezanton një model standard, dy versione Pro dhe një model të katërt që ndryshon sipas gjeneratës. Por këtë vit, sipas raportimeve, kompania pritet të fokusohet në modelet më të avancuara.
Në shtator pritet të prezantohen iPhone 18 Pro, iPhone 18 Pro Max dhe iPhone Ultra, transmeton Telegrafi. Ndërkohë, modeli standard iPhone 18 nuk është anuluar. Raportimet sugjerojnë se ai do të shtyhet për fillimin e vitit 2027, së bashku me iPhone 18e dhe iPhone Air 2.
Arsyet e sakta për këtë ndryshim nuk janë bërë të ditura, por në mesin e hipotezave përmendet dëshira e Apple për të ndarë më mirë lançimet gjatë vitit dhe për t’i dhënë më shumë hapësirë modeleve të reja premium, përfshirë iPhone Ultra.
Një tjetër faktor mund të jetë edhe situata e furnizimit me komponentë, veçanërisht kujtesën, e cila mund ta ketë shtyrë kompaninë të riorganizojë prodhimin dhe lançimin e modeleve të ardhshme. Nëse kjo strategji konfirmohet, Apple do të ndjekë një kalendar të ri: tre modele të nivelit të lartë në shtator dhe tre modele të tjera disa muaj më vonë.
Modeli standard iPhone 18 pritet të mbërrijë jo më vonë se marsi 2027, duke marrë parasysh se Apple ka prezantuar modelet e mëparshme të linjës “e” në shkurt dhe mars. Kjo do të thotë se konsumatorët që duan një iPhone të gjeneratës së re, por nuk dëshirojnë të paguajnë çmimin e modeleve Pro ose Ultra, mund të duhet të presin edhe disa muaj.
Nëse thashethemet rezultojnë të sakta, ky do të ishte një prej ndryshimeve më të mëdha të Apple në mënyrën se si organizon lançimin e iPhone-ve prej vitesh.
