Aleanca ka reaguar pas vdekjes së katër punëtorëve të KEK-ut gjatë këtij viti, duke e cilësuar situatën si dëshmi të dështimit dhe neglizhencës së institucioneve për garantimin e sigurisë në vendin e punës.
Në një reagim të publikuar në Facebook, Aleanca përmend katër punëtorët që kanë humbur jetën, Mixhen Sadiku, Milazim Binakun, Haxhi Gojnovcin dhe Arbenit Ahmetin, ndërsa thekson se dy nga rastet kanë ndodhur vetëm brenda tri ditëve të fundit.
Një tjetër tragjedi në KEK: Punëtori humb jetën në vendin e punës pas kontaktit me tensionin elektrik Aleanca ka kërkuar hetim të menjëhershëm dhe të pavarur, si dhe përgjegjësi ligjore e penale për zyrtarët që, sipas saj, kanë lejuar krijimin e kësaj situate.
“Këta që shtiren çdo ditë se po marrin masa për mbrojtjen e punëtorëve, në realitet e kanë sjellë ndërmarrjen më të madhe publike në një terren të rrezikshëm ku vdesin njerëzit.
Është e papranueshme që institucionet, nga ministria e linjës që po sillet si agjencion mortor, e deri te menaxhmenti e Bordi politik i instaluar aty, të kujtohen e të reagojnë me komunikata shabllone vetëm pasi ndodhin tragjeditë, në vend se të parandalojnë situatat e rrezikshme.
Punëtorët tanë sot detyrohen të punojnë nën presion e frikë, duke u frikësuar të denoncojnë rreziqet në vendin e punës për shkak të pasojave nga ky menaxhment represiv”, shkroi në Facebook. Po ashtu, Aleanca ka kërkuar që menaxhmenti dhe Bordi i KEK-ut të japin llogari dhe të japin dorëheqje për humbjen e jetëve të punëtorëve.
“Aleanca kërkon hetim të menjëhershëm, të pavarur dhe përgjegjësi të plotë ligjore e penale për secilin zyrtar që ka lejuar këtë situatë. Menaxhmenti dhe Bordi i KEK-ut duhet të japin llogari urgjente para drejtësisë dhe dorëheqje të menjëhershme për humbjen e këtyre jetëve. Njejtë duhet të veprojë edhe deputetja që sillet si ministre.
Ngushëllimet më të thella familjeve të punëtorëve që humbën jetën tragjikisht në vendin e punës!”, thuhet më tej në reagimin e Aleancës. KEK-u humb tre punëtorë për më pak se dy muaj, Kurti hesht për rastet Në anën tjetër, ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka kërkuar hetim të plotë për vdekjen tragjike të punëtorit të KEK-ut, Arbenit Ahmeti.
Rizvanolli ka bërë të ditur se nga Bordi dhe menaxhmenti i KEK-ut ka kërkuar që urgjentisht të zhvillohet edhe një hetim administrativ për rastin, si dhe të ketë llogaridhënie të plotë nëse konstatohet neglizhencë në punë apo shkelje të protokolleve për shëndetin dhe sigurinë në vendin e punës.
Ministrja në detyrë ka thënë gjithashtu se i ka kërkuar KEK-ut të ndërmarrë veprime emergjente për rivlerësimin e masave të sigurisë për punëtorët. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
