Vuçiqi “urdhëron” NATO-n për urën e Ibrit – analisti i përgjigjet

0%

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se do t’i drejtohet me letër sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, për të kërkuar që ura e Ibrit në Mitrovicë të mos hapet. Vuçiq pretendon se procesi po zhvillohet pa u njoftuar kryetari i Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviq. “Këtë po e bën ai turku, komandanti i KFOR-it. Do t’i shkruaj Mark Ruttes sot.

Shpresoj se do të më përgjigjet dhe do ta pranojë kërkesën time të mos e bëjë këtë. Do t’i shkruaj sot apo nesër. Për mua është marri e madhe dhe zhgënjim. Kjo tregon për nervozizmin që i ka kapluar, se nuk dinë si ta detyrojnë Serbinë ta pranojë një Kosovë të pavarur”, ka thënë ai të martën, transmetojnë mediat serbe.

Analisti Gani Mehmeti ka kritikuar deklaratat e Aleksandar Vuçiqit për urën e Ibrit, duke thënë se presidenti serb po reagon në mënyrë “urdhërore” ndaj hapjes së saj. Sipas Mehmetit, Vuçiqi kundërshton zbatimin e ligjit dhe shtrirjen e institucioneve të Kosovës në veri.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

“Pas lirimit të urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, Vuçiqi nuk flet në mënyrë ankuese e kërkuese por më shumë në mënyrën urdhërore. Ai është i pakënaqur me hapjen graduale të urës, duke e lënë që të interesohet policia e Kosovës, ai do të “urdhërojë” komandantin e NATO-os që të mos hapet ura për qarkullim.

Vuçiqi, që nga viti 2000, kur u vranë dhjetëra shqiptarë në Mitrovicë (atëhere nuk kishte Mitrovicë të Jugut as të Veriut, por vetëm Mitrovicë) e u ndoqën shqiptarët për të bërë spastrim etnik me ndihmën e KFOR-it, Vuçiqat kurrë nuk kishin reaguar se përse ishin ndjekur shqiptarët.

Ai dhe të tjerët, po e përkrahnin këtë masakër e dëbim të shqiptarëve nga veriu i Kosovës, sepse ia kishin vënë syrin pasurisë nëntokësore të kësaj ane të Kosovës.

Tani, kur bandat kriminele serbe janë eleminuar në këto anë, kur ka nisur të zbatohet ligji i Republikës së Kosovës edhe në atë anë, tani, kur Vuçiqit nuk po i shkohet më as përmes Listës Serbe, ai si “i madh” pse është aramtosur me llojet më të forta, kur vendi i tij është zhvilluar dhe ka përparuar ekonomikisht nga investimet e huaja, i duket sikur është ngritur shumë lart, dhe të gjithë të tjerët në Ballkan i shikon nga lart atje, ai nuk kërkon as nga komandani i NATO-s, por vetëm urdhëron.

Kështu, po të bisedojë me këtë “farë” turkun, komandantin e KFOR-it, i duket i vogël, por ai do të kalojë sipër tij e të dalë tek komandanti i NATO-s, të urdhërojë atë, që lirimin e urës së Ibrit të mos e lëshojë në qarkullim për të gjithë, sepse kështu, ai mendon se veriun e Kosovës e ka shkëputur nga Kosova që t’ia bashkangjesë Serbisë ”, thotë ai për “Bota sot”.

Mehmeti thotë se Vuçiqi nuk e pranon hapjen e urës për qarkullim, pasi sipas tij synon ta mbajë veriun të ndarë nga pjesa tjetër e Kosovës. Ai kritikon edhe rolin e KFOR-it në të kaluarën, duke pretenduar se ndarja e Mitrovicës u bë për t’iu përshtatur kërkesave të palës serbe.

“Mirëpo, lëshuarja e urës së Ibrit në qarkullim, dhe, duke e lënë në duart e policisë së Kosovës, ai nuk po ndihet mirë! Është shumë keq mentalisht, çka nuk e ka marrë me mend se një ditë do të lirohet për qarkullim kjo urë, duke harruar se urat janë për të lidhur njerëz e vende, për të qarkulluar nëpër të, të gjithë ata që duan, se aty nuk ka kufi. Dhe, po.

Me të drejtë ka menduar, pse ashtu ka dëshiruar, por pse edhe KFOR-i ia pati mundësuar të ndiqen shqiptarët nga atje, të mos lejohen më të kthehen andej në tokat e tyre mijëravjeçare, po edhe ndarjen e qytetit të Mitrovicës, për plotësimin e dëshirave e kërkesave të serbëve e bënë.

Përse nuk u nda asnjë qytet tjetër në Kosovë, as Prishtina, as Prizreni, as Peja, që ndoshta duhet të jenë edhe më të mëdha si qytetete. Jo, se atje nuk kishte serbë e t’u plotësohej dëshira”, shprehet ai më tutje. Mehmeti e akuzon Vuçiqin për qasje përçmuese ndaj KFOR-it dhe ndërhyrje në çështjet e Kosovës.

Ai i bën thirrje presidentit serb ta njohë Kosovën dhe të fokusohet në bashkëjetesën si fqinjë, pa ndërhyrë në punët e njëri-tjetrit.

“E, Vuçiqi, regon në mënyrën më përçmuese ndaj komandantit të KFOR-it, duke mos e çmuar fare si komandant, pse ai po lejon të lëshohet ura e Ibrit në qarkullim, ndërsa vendimi për lirimin e kësaj ure ka qenë marrë, nëse nuk gaboj, diku në vitin 2016, por nuk po guxonin nga strukturat kriminale serbe. Ah, more Vuçiq, nuk po më dëgjon as mua KFOPR-i e as ty, nuk e di përse, çka u bë me të.

Kemi rënë në hall me të, por më shumë unë sesa ti. Po se ti po kërkon tokë të huaj e unë vetëm një pjesë të tokës sime! Po, se ti po kërkon tokë të huaj, tokën time. E, unë, sikur ta kërkojë edhe Beogradin, beso se do ta kërkoja vetëm tokën time. Jo tokën tënde.

Prandaj, unë po të sugjeroj: Bëhu i mençur, njihe Republikën e Kosovës e jetojmë si fqinj, duke shikuar secili punën e vet, pa ndërhyrje në punët e njëri-tjetrit” – përfundon ai për “Bota sot”.

Burimi: Bota Sot