Spiuni paranoik

0%

Në një fshat mbi Lagunë, bënte namin një spiun; s’kishte arë, as bagëti, por jetonte si zotëri. Ecte rrugëve pandarë, me dy veshë si dy radarë; mblidhte fjalët me lezet, t’ia dërgonte Mbretit vetë. Asnjë rast s’e linte kot, të qeshurës i thotë komplot; gotën e kafes në sallon e quante troç revolucion. Nëse bujku ankohej drejt: – Na dogji vapa, s’ka bereqet!

Spiuni te Mbreti, me vrap: – Populli po kërkon hesap! Mbreti e kishte për zemër këtë “besnik” me nam e emër, që i sillte lajme çdo ditë, rrotull tokës si satelit. S’guxonte kush të fliste, as të qeshte e të kukuriste; po ra në vesh fjala vet, bëhej dosje, në “Komitet”. Kështu vitet iknin në heshtje, një nga një, si gjethe vjeshte; derisa plakut, dalëngadalë, i ra fuqia, mbeti pa fjalë.

U rrudh, u shter si spec vargu, nuk mund të dilte as te pragu, sytë nuk shihnin si më parë, goja iu hap si një varr. Thirri pranë pleqtë e fshatit, që të ulen rreth krevatit. – Ju tha me zërin në hall: Kërkoj falje, ma bëni hallall! Pleqtë u panë sy më sy, u habitën të gjithë për çudi: – Ta bëjmë hallall, kat më kat, se s’ia vlen të mbajmë inat.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Por spiuni, me gojën e vet, u tha: – Kam edhe një amanet: kur të vdes, më varni, gjithsesi, në oborrin tim, në qershi! Pleqtë e pranuan si më mirë: – Qoftë e fundit kjo dëshirë! Dhe e varrosën ashtu të vdekur, si një mollë që s’kishte pjekur; Por lajmi shkoi te Mbreti, siç shkonte çdo fjalë te Komiteti: – Spiunin e varën, o Madhëri! – Fshatarët, për së gjalli, n’qershi!

Mbreti s’pyeti, as nuk hetoi, as dëshmitarë nuk kërkoi; i dërgoi xhandarët si stuhi, të kërkonin fajtorë në shtëpi. – Kush e vari? Jeni nën hetime! – Kush guxoi t’i prekë një qime?! I rrahën keq burra e gra, u mbush fshati me hata. Një plak tha me gjithë mend: – Mjerë ky popull, mjerë ky vend! Mbretëritë shkojnë, siç thonë…, por spiunllëku rron gjithmonë!

Burimi: Bota Sot