Shtufi rrëfen vizitën e Riza Salihut pas vrasjes së Gërvallës e

0%

Pal Shtufi ka rrëfyer detaje për një nga momentet që, sipas tij, e kanë tronditur më së shumti në raport me Riza Salihun, pas vrasjes së Jusuf Gërvallës, Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës.

Në intervistën për ciklin “Dosjet” të emisionit “Debat Plus”, Shtufi tha se për vrasjen e tyre e kishte mësuar në mbrëmje, përmes lajmeve televizive, ndërsa disa ditë më vonë Riza Salihu kishte ardhur në shtëpinë e tij, rreth 700 kilometra larg. Shtufi tha se fillimisht kishte menduar se Salihu kishte ardhur për ngushëllime, por më pas, sipas tij, e kuptoi se arsyeja ishte tjetër.

“Pas dy-tre ditëve, se besoj që e katërta ditë ka qenë, kur Rizahu vjen te ne. Edhe një befasi e dorës së parë. Nja 700 kilometra po vjen. Ne mendja na shkon që për ngushëllim se s’ka tjetër. Edhe, siç e përshkruaj edhe në libër, ai jo, ka ardhur për diçka tjetër. Policia e kanë kërkuar, edhe thotë, s’kam alibi”, rrëfeu Shtufi.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Ai tha se në atë kohë nuk e kuptonte as domethënien e fjalës “alibi” dhe kërkoi nga Salihu t’ia shpjegonte. Sipas Shtufit, Salihu kishte thënë se kishte qenë në banesën e tij dhe se nuk mund ta dëshmonte këtë, ndërsa vizita te Shtufi do t’i shërbente si dëshmi se kishte qenë me ta. “Vetë kam qenë në banesë, nuk mund me dhënë dëshmi që kam qenë në banesë.

Edhe, domethënë, me u shpreh se këtu kam qenë te ju. Ne duhet me thënë, me dëshmu që jo, ka qenë këtu”, tha Shtufi. Ai tregoi se nuk pranoi të bëhej pjesë e kësaj dhe se situata në shtëpi ishte tensionuar. Shtufi tha se gjatë bisedës Salihu kishte dhënë edhe versione kontradiktore për fatin e Jusuf Gërvallës, Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës. “Tha, jo s’është i vrarë.

Gestapo-ja, këto domethënë Shërbimi sekret i Hitlerit, thotë, ka mbaruar një skenë asisoj, sikur këta janë vrarë, po në fakt këta i kanë çuar në shërbime të tjera, ua ndërrojnë identitetin, kështu gjëra, nuk janë vrarë”, rrëfeu ai. Por, sipas Shtufit, më vonë Salihu kishte ndryshuar qëndrim dhe kishte thënë se tre veprimtarët ishin vrarë.

“Tha, po ata janë të vrarë se UDB-ja i ka vrarë vetë”, tha Shtufi, duke rrëfyer fjalët që ia atribuoi Salihut. Shtufi tha se kjo e kishte bërë atë të përballej me Salihun me pyetjen se, nëse tre personat nuk ishin vrarë, pse ai kishte nevojë për alibi. “Po pse thashë vetë? Tha, po e kanë kryer punën ata, s’ju duhen më. Thashë, po çfarë kanë kryer bre vëlla?”, rrëfeu Shtufi.

Ai tha se, nga perspektiva e sotme, mendon se Salihu mund të ketë pasur frikë se Shtufi dhe të tjerët mund ta denonconin në polici, ndonëse theksoi se vetë në atë kohë nuk e kuptonte rëndësinë e kërkesës për alibi. “Unë as ia dija rëndësinë asaj alibie. As s’e kam shkuar në mendja me e thirr”, tha ai.

Sipas Shtufit, Salihu më pas u largua nga shtëpia dhe ai e përcolli deri në një stacion të vogël të trenit. “Bile e përcolla deri te një stacion i vogël të trenit, edhe shkoi”, tregoi Shtufi. Ai shtoi se Salihu ishte arrestuar atë ditë ose të nesërmen, ndërsa pas rreth një viti e kishte telefonuar sërish. “Pas një viti ai telefonon prapë dhe thotë: ‘Ju dogjën Gestapos letrat në dorë.

Dola nga burgu’”, rrëfeu Shtufi. Shtufi tha se kjo ngjarje kishte ndikuar fuqishëm në mënyrën se si e kishte parë më pas Riza Salihun.

Ndërkohë, gjatë së njëjtës intervistë, Shtufi kishte deklaruar se Salihu e kishte akuzuar Jusuf Gërvallën si bashkëpunëtor të UDB-së dhe kishte pretenduar se shërbimi sekret jugosllav e kishte dërguar atë në Perëndim për ta shkatërruar lëvizjen ilegale shqiptare.

Shtufi, megjithatë, tha se nuk ka bindje se Riza Salihu ka qenë vetë në shërbim të UDB-së, duke theksuar se për këtë çështje nuk dëshiron të japë një gjykim përfundimtar.

Burimi: Telegrafi