Presidenti, zarfi dhe miopia politike!

0%

Kur një shoqëri politike nuk arrin të gjejë kompromis brenda vetes, shpesh kërkon një adresë tjetër ku mund të gjendet zgjidhja. Në rastin e Kosovës, kjo dukuri është shfaqur jo rrallë në momente të rëndësishme politike.

Çështja e zgjedhjes së Presidentit të Republikës është një prej rasteve ku mungesa e konsensusit të brendshëm mund të krijojë nevojën për një ndërmjetësues me autoritet dhe besueshmëri ndërkombëtare. Në këtë kuptim, shprehja rruga e zarfit në SHBA mund të kuptohet si një metaforë politike, kur institucionet dhe partitë tona nuk arrijnë të merren vesh, mesazhi përfundon në Washington.

Zarfi nuk është thjesht një document, ai simbolizon kërkesën për ndihmë, ndërmjetësim dhe orientim nga aleati strategjik i Kosovës. Problemi nuk qëndron te miqësia me Shtetet e Bashkuara. Përkundrazi, marrëdhënia e Kosovës me SHBA-në është një prej shtyllave më të rëndësishme të politikës së saj të jashtme.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Problemi lind atëherë kur ne fillojmë të kërkojmë nga partnerët ndërkombëtarë zgjidhje për mosmarrëveshjet që duhet t’i zgjidhim vetë. Kosova nuk duhet të presë gjithmonë që Washingtoni të na tregojë se si të ndërtojmë kompromisin politik.

Aleatët mund të ndihmojnë, të këshillojnë dhe të ndërmjetësojnë, por përgjegjësinë për funksionimin e institucioneve e kanë vetë aktorët politikë të Kosovës. Këtu qëndron edhe problemi i miopisë politike. Shpesh shohim vetëm interesin e momentit dhe jo interesin strategjik të shtetit. Shikojmë zgjedhjet e ardhshme, por jo gjeneratën e ardhshme.

Shikojmë fitoren e partisë, por jo stabilitetin e institucioneve. Shikojmë kundërshtarin politik, por harrojmë interesin shtetëror. Nëse nuk mund të merremi vesh për çështje themelore shtetërore, atëherë rrezikojmë që çdo krizë politike të shndërrohet në një çështje për ndërmjetësim ndërkombëtar. Kjo nuk është shenjë e forcës së një shteti demokratik.

Përkundrazi, është dëshmi se kultura e kompromisit politik ende nuk është konsoliduar sa duhet. Prandaj, rruga e zarfit duhet të mbetet një metaforë dhe një paralajmërim, jo një model qeverisjeje. Kosova ka nevojë për Washingtonin si aleat strategjik, por nuk duhet ta shndërrojë aleatin në zgjidhës të çdo mosmarrëveshjeje të brendshme.

Për çështjen e Presidentit, partitë politike duhet të ulen në një tryezë dhe të kërkojnë një kandidat që mund të bashkojë, jo të ndajë; që mund të përfaqësojë shtetin, jo vetëm një parti; dhe që të ketë kredibilitet brenda dhe jashtë Kosovës.

Në fund të fundit, problemi nuk është se Washingtoni është larg Prishtinës, problemi është se Prishtina shpesh nuk arrin të shohë përtej hundës së vet. Kosova ka miq të fuqishëm, por një shtet bëhet i fortë atëherë kur di t’i përdorë aleancat e tij për të ndërtuar konsensusin e vet, jo për të zëvendësuar atë.

Washingtoni mund të jetë adresa e fundit e ndërmjetësimit, megjithatë marrëveshja, duhet të fillojë në Prishtinë.

Burimi: Bota Sot