Premier Liga sjell ndryshime të reja për gjyqtarët dhe VAR-in Premier Liga do të zgjerojë komunikimin mes gjyqtarëve, VAR-it dhe tifozëve gjatë sezonit 2026/27, me synimin për të ofruar më shumë transparencë rreth vendimeve të diskutueshme në ndeshje. Liga angleze ka njoftuar disa ndryshime të rëndësishme që do të zbatohen gjatë sezonit të ri.
Aplikacioni zyrtar i Premier Ligës, uebfaqja e ligës dhe llogaria në “X” do të publikojnë shpjegime të drejtpërdrejta nga gjyqtarët në fushë dhe zyrtarët e VAR-it për raste të caktuara gjatë ndeshjeve. Transmetimet televizive do të përfshijnë gjithashtu fragmente audio të regjistruara nga kamerat e vendosura në trupin e gjyqtarëve.
Këto materiale do të publikohen në një ose dy ndeshje për çdo xhiro, duke u mundësuar tifozëve të dëgjojnë komunikimet dhe ndërveprimet e gjyqtarëve gjatë rasteve të rëndësishme.
Premier Liga do të publikojë çdo javë edhe raportet e panelit “Key Match Incident” (KMI), i cili shqyrton rastet kryesore të ndeshjeve.Paneli do të vlerësojë nëse vendimet për penallti, kartonë të kuq dhe pozicione jashtë loje kanë qenë të sakta.
Me këto ndryshime, Premier League synon të rrisë transparencën dhe t’u japë tifozëve më shumë informacion mbi mënyrën se si gjyqtarët dhe VAR-i marrin vendimet gjatë ndeshjeve.
