Konfirmimi i Bashkimit Evropian se janë përmbushur kushtet e nevojshme për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, pas vendimit të KFOR-it për të nisur një tranzicion gradual të pranisë së tij të përhershme ushtarake në këtë lokacion, përbën një zhvillim të rëndësishëm për situatën në veri të Kosovës dhe për procesin e normalizimit të jetës në Mitrovicë.
Ura e Ibrit prej vitesh mbetet një nga simbolet kryesore të ndarjes mes dy pjesëve të qytetit, ndërsa çdo vendim për ndryshimin e statusit të saj bart edhe rëndësi politike, të sigurisë dhe shoqërore.
Në këtë kontekst, mbetet e hapur pyetja nëse konfirmimi i BE-së nënkupton se hapja e urës është tashmë vetëm çështje kohe dhe nëse tranzicioni gradual i pranisë së KFOR-it mund të ndikojë në stabilitetin e zonës. Për këtë çështje, për “Bota sot” foli profesori Nijazi Halili.
Sipas tij, konfirmimi i Bashkimit Evropian se janë përmbushur kushtet e nevojshme për hapjen e urës së Ibrit është një zhvillim i rëndësishëm, por kjo nuk nënkupton domosdoshmërisht se hapja e saj është vetëm çështje kohe.
“Konfirmimi i Bashkimit Evropian se janë përmbushur kushtet e nevojshme për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër është një zhvillim i rëndësishëm, por nuk do të thotë domosdoshmërisht se hapja e saj është vetëm çështje kohe. Ura e Ibrit për vite me radhë ka qenë më shumë se një infrastrukturë fizike. Ura është shndërruar në simbol të ndarjes politike dhe shoqërore të Mitrovicës.
Prandaj, çdo vendim për hapjen e saj duhet të trajtohet me kujdes, në koordinim të plotë me faktorët ndërkombëtarë dhe të sigurisë”, u shpreh Halili. Nijazi Halili Ai thekson se tranzicioni gradual i pranisë së përhershme të KFOR-it në këtë lokacion nuk duhet të interpretohet si tërheqje nga përgjegjësia për sigurinë, por si pjesë e një procesi të planifikuar dhe të koordinuar.
“Tranzicioni gradual i pranisë së përhershme të KFOR-it në këtë lokacion duhet të shihet si një proces i planifikuar dhe jo si tërheqje nga përgjegjësia për sigurinë. Stabiliteti në veri mbetet thelbësor dhe çdo ndryshim duhet të bëhet në mënyrë të matur, në mënyrë që të mos krijohen tensione të reja”, deklaroi profesori.
Më tej, Halili vlerëson se hapja e urës, nëse realizohet në mënyrë të koordinuar dhe të sigurt, mund të ketë ndikim të rëndësishëm në lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe në normalizimin e jetës në Mitrovicë. Sipas tij, megjithatë, hapja fizike e urës nuk është e mjaftueshme për të tejkaluar ndarjet që kanë ekzistuar prej vitesh ndërmjet komuniteteve.
“Nëse hapja e urës realizohet në një mënyrë të koordinuar dhe të sigurt, ajo mund të ketë rëndësi të madhe për lëvizjen e lirë dhe normalizimin e jetës së qytetarëve të Mitrovicës. Megjithatë, hapja fizike e urës nuk është e mjaftueshme nëse nuk shoqërohet me hapa të tjerë që ndërtojnë besim ndërmjet komuniteteve ”, tha ai.
Duke folur për rëndësinë e këtij zhvillimi, profesori Halili thekson se ura duhet të shndërrohet nga një simbol i ndarjes në një pikë që bashkon qytetarët e Mitrovicës. “Qëllimi duhet të jetë që ura të mos shihet më si vijë ndarëse, por si një pikë që i bashkon qytetarët.
Normalizimi i jetës në Mitrovicë kërkon më shumë se hapjen e një ure; kërkon siguri, dialog, lëvizje të lirë dhe vullnet politik për të kapërcyer ndarjet”, përmbylli profesori Nijazi Halili për “Bota sot”.
